Aksionet e prodhuesit gjerman të makinave Porsche ranë 7% të martën, performanca e saj më e keqe që nga dalja publike, pasi kompania paralajmëroi se kostot për modelet e reja të automjeteve dhe bateritë për makinat elektrike do të reduktonin ndjeshëm fitimin e saj këtë vit. Porsche tronditi investitorët duke thënë se priste një marzh fitimi prej vetëm 10 deri në 12 përqind këtë vit, nën pritjet e analistëve prej 14.8 përqind dhe shumë nën objektivin e saj afatmesëm prej 17 deri në 19 përqind.
Kompania tha gjithashtu se do të ndajë 800 milionë euro për të zhvilluar hibride të reja plug-in dhe makina me motorë me djegie të brendshme, pasi është e detyruar t’i përgjigjet kërkesës së dobët për automjete elektrike në Evropë dhe konkurrencës së ashpër nga rivalët kinezë. “Ne besojmë se kjo është përpjekja e fundit e Porsche për të provuar se ata mund ta kthejnë biznesin përpara se të humbasin besimin e aksionarëve afatgjatë”-u shprehën në një shënim analistët e Deutsche Bank.
Kompania tha javën e kaluar se po negocionte përfundimin e parakohshëm të kontratave me shefin e saj financiar dhe shefin e shitjeve, pasi që të dy janë kritikuar rëndë për performancën e dobët të Porsche dhe çmimin e ulët të aksioneve. Andreas Preuninger, kreu i divizionit sportiv GT të Porsche, tha së fundmi se mbajtja e transmisionit manual ishte një pjesë “super e rëndësishme” e biznesit të tij. Kjo ka kuptim, duke marrë parasysh se rreth gjysma e të gjitha GT3-ve të shitura në SHBA janë me tre pedale.
Si një mënyrë për t’u përkushtuar më tej, Preuninger zbuloi planet për të vendosur rekordin për veturat manuale në Nurburgring duke përdorur GT3 të ri, të debutuar këtë vit. “Ajo që unë do të mendoja është interesante, të shënojmë një rekord të ri për veturat manuale”-tha Preuninger. Deri më tani, Porsche ka përdorur një makinë të pajisur me automatik për të vendosur xhirot e saj zyrtare në pistën gjermane.