Aksioni i tatimorëve për formalizimin e tregtimit të produkteve bujqësore dhe rritjen e sigurisë ushqimore vijoi edhe në gusht. Sipas Tatimeve, për muajin e kaluar janë monitoruar 10 tregje dhe 59 subjekte u kontrolluan. Në total ishin 17 tonë mallra pa faturë tatimore të identifikuara dhe u vunë 112 gjoba.
Gjatë muajit gusht janë zhvilluar kontrolle dhe monitorime të vazhdueshme në tregjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale në të gjitha qarqet e vendit, me qëllim garantimin në çdo produkt të shoqërohet me faturë tatimore dhe të sigurohet transparencë për konsumatorin.
Administrata tatimore fton bizneset e përfshira në zinxhirin ushqimor të zbatojnë ligjin duke dokumentuar çdo transaksion me faturë tatimore për të shmangur masat administrative. Aksioni për formalizimin e tregjeve të mallrave bujqësore nisi në mesin e muajin korrik. Në ditët e para aksioni i tatimorëve u fokusua në tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore dhe blegtorale, baxhot dhe thertoret në Tiranë.
Në fazën e dytë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përveç Tiranës dhe zonave përreth saj, aksioni do të fokusohej edhe në rrethe, ku fokusi do të jenë tregjet e mëdha, baxhot e grumbullit të qumështit dhe thertoret e kafshëve.
Në fazën e tretë, administrata tatimore parashikon që aksioni të shtrihet te pikat e grumbullimit dhe përpunimit të mallrave blegtorale.
Administrata Tatimore theksoi më herët se fokusi i aksionit është forcimi i kontrollit në terren mbi lëshimin e autofaturës për tregtimin e produkteve blegtorale, te tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore, thertoret, baxhot dhe më pas grumbulluesit dhe përpunuesit e mëdhenj.
Tatimet pohuan më herët se tregtarët e vegjël dhe ambulantët nuk janë në fokus të aksionit. Aksioni i ndërmarrë nga tatimet synon të rrisë të ardhurat dhe të forcojnë sistemin për gjurmueshmërinë e mallit./Monitor