Aktualitet

Aksioni i Tatimeve për faturimin do të shtrihet në 3 faza!

Prej disa ditësh, tatimorët kanë nisur aksionin për kontrollin e tregtimit të produkteve bujqësore me qëllim gjurmueshmërinë e mallrave për forcimin e sigurisë ushqimore. Ndërmarrja e aksionit parashikohet të zbatohet nëpërmjet disa fazave sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), ku përveç subjekteve në Tiranë, aksioni do të zhvendoset drejt rretheve dhe më pas te pikat e grumbullimit e përpunimit.

Gjatë këtyre ditëve, aksioni i tatimorëve është fokusuar në tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore dhe blegtorale, baxhot e thertoret në Tiranë. Në tre ditët e para të këtij aksioni, në kryeqytet u kontrolluan 87 subjekte dhe u sekuestruan 20 tonë mallra blegtorale që rezultuan se nuk tregtoheshin me faturë.

Fokusi i aksionit për tregtimin e mallrave me faturë do të jenë tregjet e mëdha, thertoret e baxhot. Më pas grumbulluesit dhe përpunuesit me volum tregtar të lartë. Nga kontrollet kryesore, me më probleme për tregtimin e mallit pa faturë, deri tani rezultojnë tregjet e mëdha të mallrave bujqësore e blegtorale, si dhe thertoret, siç pohon administrata tatimore.

Në fazën e dytë, referuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përveç Tiranës dhe zonave përreth saj, aksioni do të shtrihet në rrethe. Në fokus do të jenë tregjet e mëdha, baxhot e grumbullimit të qumështit e thertoret e kafshëve.

Në fazën e tretë, administrata tatimore parashikon që aksioni të shtrihet te pikat e grumbullimit dhe përpunimit të mallrave blegtorale.

Tatimet pohojnë se tregtarët e vegjël dhe ambulantët nuk janë në fokus të aksionit. Numri i supermarketeve të kontrolluara deri tani mbetet i ulët. Aksioni i ndërmarrë nga tatimet, synon të rrisë të ardhurat e të forcojë sistemin për gjurmueshmërinë e mallit.

Në mbyllje të aksionit nëpërmjet të cilit synohet të rriten autofaturimet për mallrat e tregtuara nga fermeri, qeveria parashikon të nisë zbatimin e skemës së rimbursimit të TVSH-së në masën 10% për fermerin. Projektligji për kthimin e skemës së kompensimit të TVSH-së pritet të shqyrtohet për miratim vitin e ardhshëm, kur dhe do të nisë zbatimin.

Pas ndryshimeve që u bënë në vitin 2019 në skemën e rimbursimit të TVSH-së, që nga 20 u ul në 6%, prej 2022-shit, u shfuqizua TVSH-ja e kreditueshme për blerjet e mallrave nga fermerët. / Monitor