Aktualitet

Tatimet: Edhe dy ditë për paqen fiskale, dokumentet!

Administrata Tatimore ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit e regjistruar si person fizik ose entitet se aplikimi për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026 mund të kryhet online në sistemin “e-filing”, nga data 15.05.2026 deri më 05.06.2026.

Të drejtën për të aplikuar e ka çdo tatimpagues që është subjekt i detyrimit të Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi dhe që plotëson njëkohësisht kushtet e mëposhtme:

ushtron veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë;

gjatë vitit tatimor paraardhës ka realizuar të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë;

nuk ka detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara;

nuk është në proces ankimi administrativ;

nuk është subjekt i procedimeve penale për vepra në fushën tatimore;

nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim të produkteve të veprës penale ose fshehje të ardhurash;

nuk është subjekt hetimi nga Administrata Tatimore;

nuk realizon projekte koncesionare.

Tatimpaguesit që plotësojnë kushtet e mësipërme paraqesin kërkesën online në sistemin “e-filing”, në rubrikën “Çështjet e mia” – “Pyetje e përgjithshme”, duke vendosur titullin “Aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe duke ngarkuar dokumentacionin e mëposhtëm:

Formularin e aplikimit të plotësuar (shtojca nr. 1);

Vërtetim për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që nuk janë në proces procedimi penal për vepra penale në fushën tatimore (nga Prokuroria);

Dëshmi penaliteti për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që vërteton se nuk ka vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor ose pastrim parash;

Vërtetim që nuk është në proces ankimi administrativ (nga Drejtoria e Apelimit Tatimor);

Vetëdeklarim që nuk realizon projekte koncesionare;

Vetëdeklarim se nuk ka dijeni për procedime penale në fushën tatimore.

Pas verifikimit të kushteve ligjore, sipas Ligjit nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe udhëzimit përkatës në zbatim të tij, vendimmarrja mbi aplikimin do t’i komunikohet tatimpaguesit në mënyrë elektronike në llogarinë e tij në sistemin “e-filing”, brenda 5 ditëve kalendarike, por jo më vonë se data 10.06.2026.

Brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimmarrjes, por jo më vonë se data 15.06.2026, dokumenti i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i tatimpaguesit duhet të dorëzohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, zyrtarisht ose përmes sistemit “e-filing”.

Tatimpaguesit që, në formularin e aplikimit, kanë deklaruar se do të kryejnë rideklarim të pasqyrave financiare për një ose disa vite tatimore, pas lidhjes së marrëveshjes dhe kryerjes së rideklarimeve/korrigjimeve përkatëse, duhet që brenda datës 30.06.2026:

Të kryejnë pagesën e tatimit për çdo vit tatimor për të cilin është ndryshuar deklarata tatimore;

Të dorëzojnë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit formularin e aplikimit për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore, sipas shtojcës nr. 2 të udhëzimit përkatës;

Të dorëzojnë pasqyrat financiare të rideklaruara;

Të paraqesin çdo sqarim të nevojshëm mbi ndryshimet e reflektuara në zërat e pasqyrave financiare.

Administrata Tatimore njofton se fton të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kushtet ligjore dhe janë të interesuar të përfitojnë nga kjo marrëveshje, të aplikojnë brenda afatit 05.06.2026, pasi aplikimet e paraqitura pas këtij afati nuk do të pranohen.