Bota

Akt terrorist në Leipzig? Shoferi përplaset me turmën në qendër të qytetit gjerman, 2 të vdekur. Policia arreston autorin 33-vjeçar!

Dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një makinë u përplas me një turmë njerëzish në qendër të qytetit gjerman Leipzig, kanë konfirmuar autoritetet lokale.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi në rrugën Grimmaische Strasse, një zonë e frekuentuar që të çon drejt qendrës tregtare të qytetit. Dy persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa të paktën dy të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë.

Raportimet fillestare nga mediat gjermane, përfshirë agjencinë DPA, bëjnë me dije se numri i të prekurve mund të jetë më i lartë. Shefi i zjarrfikësve në Leipzig tha se rreth 20 persona janë prekur nga incidenti, ndërsa tabloidi Bild raportoi për të paktën tetë të plagosur.

LEXO EDHE: Alarm në Emiratet e Bashkuara Arabe/ Irani lëshon 4 raketa drejt territorit, 3 u interceptuan mbi det!

Sipas transmetuesve lokalë si MDR dhe Radio Leipzig, një automjet tip SUV i markës Volkswagen u pa duke kaluar me shpejtësi në një zonë për këmbësorë përpara përplasjes.

Policia njoftoi se shoferi është ndaluar pasi tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes dhe tashmë ndodhet në arrest. Autoritetet theksuan se nuk ka më rrezik për qytetarët.

LEXO EDHE: Goditje rekord në Spanjë! Sekuestrohen 40 ton kokainë në Oqeanin Atlantik!