Rreth 80% e grave përjetojnë pas lindjes simptoma të lehta si luhatje humori, ankth, lodhje apo pagjumësi, gjendje e njohur si “baby blues”, që zakonisht kalon brenda një ose dy javësh dhe lidhet me ndryshimet hormonale.
Por ekspertët paralajmërojnë për një realitet më serioz: 1 në 10 gra përjeton depresion pas lindjes gjatë gjashtë muajve të parë. Dhe kjo nuk është dobësi karakteri, por një ndërlikim i shtatzënisë dhe lindjes që kërkon vëmendje mjekësore.
Në vend të gëzimit që pritet me ardhjen e foshnjës, disa nëna përballen me të qara të shpeshta, ankth të fortë, nervozizëm, përqendrim të dobët, lodhje ekstreme, çrregullime gjumi, ndjenja faji apo paaftësie.
Në raste më të rralla, gjendja mund të shoqërohet me mendime vetëvrasëse apo simptoma psikotike.
Shqetësues mbetet fakti se në një përqindje të lartë rastesh, depresioni pas lindjes mbetet i padiagnostikuar. Pasojat nuk prekin vetëm nënën, por edhe zhvillimin emocional dhe fizik të fëmijës.
Shumica e rasteve trajtohen me mbështetje psikologjike dhe psikoterapi. Në situata më të rënda, mund të rekomandohen antidepresantë, vendim që merret nga psikiatri në bashkëpunim me nënën, duke marrë parasysh edhe shqetësimet për ushqyerjen me gji.
Ekspertët theksojnë se çdo shtatzëni mbart një rrezik natyral 3–5% për anomali kongjenitale, ndërsa frika se antidepresantët serotonergjikë rrisin rrezikun për autizëm apo ADHD nuk është konfirmuar shkencërisht.
Sipas specialistëve, periudha para dhe pas lindjes e bën gruan veçanërisht të prekshme ndaj çrregullimeve mendore, sidomos nëse ekzistojnë faktorë predispozues.
Për këtë arsye, zbulimi i hershëm dhe trajtimi i duhur janë thelbësorë, jo vetëm për shëndetin e nënës, por edhe për mirëqenien e gjithë familjes.
Depresioni pas lindjes është një alarm që nuk duhet injoruar. Sa më shpejt të kërkohet ndihmë, aq më i lehtë bëhet rikthimi drejt një periudhe të shëndetshme dhe të qëndrueshme për nënën dhe fëmijën.