Të vonohesh herë pas here është diçka njerëzore, por për disa persona vonesa kthehet në një mënyrë jetese. Sipas ekspertëve të psikologjisë, kjo sjellje nuk lidhet domosdoshmërisht me dembelizmin apo mungesën e respektit, por me një fenomen të njohur si “verbëri ndaj kohës”.
Psikologia Chivonna Childs nga Cleveland Clinic shpjegon se shumë njerëz nuk nisen në kohë sepse mbivlerësojnë kohën që kanë në dispozicion.
Sipas saj, individët shpesh mendojnë se mund të kryejnë edhe një detyrë të vogël para se të largohen, duke mos kuptuar se koha kalon më shpejt nga sa mendojnë.
Ajo thekson se ky fenomen mund të lidhet edhe me probleme të shëndetit mendor si ankthi, depresioni apo ADHD, të cilat ndikojnë në aftësinë për të vlerësuar saktë kalimin e kohës.
Një tjetër shkak i zakonshëm është ajo që psikologët e quajnë “gabimi i planifikimit”. Profesori Allen Bluedorn nga University of Missouri, në një intervistë për National Geographic, shpjegon se njerëzit priren të besojnë se planet e tyre do të realizohen gjithmonë pa pengesa, duke nënvlerësuar kohën reale që u nevojitet për të përfunduar detyrat.
Megjithëse shkaqet janë psikologjike, pasojat janë konkrete. Sipas Pauline Wallin, vonesat e vazhdueshme mund të dëmtojnë marrëdhëniet personale dhe profesionale, pasi krijojnë mungesë besimi dhe tension me kalimin e kohës.
Si zgjidhje, ekspertët sugjerojnë disa hapa praktikë, si vendosja e alarmeve për kujtesë, përgatitja paraprake që një natë më parë dhe planifikimi i më shumë kohe sesa mendohet se është e nevojshme. Sipas tyre, të kuptosh arsyet e vonesës është hapi i parë drejt ndryshimit të kësaj sjelljeje.