I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë eksperti i sigurisë Faik Basha. Ai ka diskutuar mbi ngjarjen e ndodhur së fundmi, lidhur me krimin e dyfishtë të regjistruar në zonën e Manzës, në Durrës, jashtë një lokali. Si po qarkullojnë kaq shumë armë në vendin tonë sot dhe si i sigurojnë njerëzit ato?
Me sa para mund të posedosh një armë pa leje sot?
Nuk është aspak e vështirë për kushtet ekonomike që kanë grupet kriminale apo të rinjtë të cilët burimet e fitimit nuk i kanë të ligjshme. Pra nuk janë nga ata që e kanë fokusuar jetën dhe ecurinë e tyre nëpërmjet një profesioni, por janë të rinj të cilët kanë ndërprerë arsimin, kanë ndërprerë karrierën dhe i janë futur një bote më të egër, më të ashpër dhe më të pakontrolluar. Një armë që është e llojeve më të zakonshme në Tiranë, apo siç kemi parë kohët e fundit në çdo aksion që Forcat Shqiponja e forcat e policisë kryejnë në ndalimin e një të riu, është e pamundur që të mos i gjesh një armë poshtë sediles, një armë në brez, apo një armë me fishekë në kuletë. Pra një armë mund të merret me 600, 700, deri në 1500 euro varion tregu. Me 1000 euro ti mund të sigurosh një armë dhe mund ta mbash atë në mënyrë të paligjshme, lirshëm.