Live From Tirana

3 vite burg kush parkon dysh?! Eksperti: “Lajm i mirë, ligji ka ekzistuar…”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë eksperti i sigurisë rrugore, Faik Basha. Ai ka folur më shumë për rregullin e ri të vendosur nga policia, ku shoferët e automjeteve do të dënohen me deri 3 vite burg në rast parkimi të dyfishtë. Si e komenton ai këtë?

Lajm i mirë! Sepse ky ligj, apo ky nen në kodin penal, ka ekzistuar. Unë jam habitur me disa zyrtarë të lartë opozitës, disa analistë, të cilët e kanë deklaruar apo analizuar këtë si një shkelje të rëndë të demokracisë. Nuk e kuptoj se si në një vend demokratik, quhet shkelje e të drejtave të njeriut, apo privim i lirisë dhe i demokracisë zbatimi i një neni, që është ekzistues në kodin penal. Por këta mund të kishin kërkuar llogari se pse deri tani ky nen nuk është zbatuar. Neni 293 e thotë qartë që bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 1 vit burg. Tani ndryshimi është që duan ta bëjnë deri në 3 vite burg. Por megjithatë, unë mendoj që gjobë deri në 1 vit burg, është mjaftueshëm për të sensibilizuar dhe për të disiplinuar shkelësit rrugorë. Jo vetëm në Tiranë, por ky nen vepron në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Tirana për momentin është një nga vendet që më së shumti gjendet kjo shkelje, sidomos në verë, jugu është një Tmerr. Lungomare, Dhërmi, të gjitha këto zona që kanë frekuentim të lartë sidomos në sezonin e verës, është e vështirë të kalosh. Por dhe Tirana në kohën e fillimit të shkollës, shtator-tetor. Por dhe kur vijnë emigrantët e huaj, ne i kemi parë ato targat kryesisht angleze, nuk zbatojnë asnjë lloj rregulli. Para se të bëhet publike zbatimi i nenit 293, unë kam propozuar që gjobat të mos jenë njëlloj për të gjithë.