Rajoni

Albin Kurti akuza Serbisë se po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Kosovë!

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, akuzoi Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.  Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit Aleksander Vuçiç e të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.

Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë.

Kurti foli gjatë një mbledhjeje të qeverisë në detyrë, ku kabineti i tij ndau nga 100 euro për studentët e vendit, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Bashkimit Europian i bëri thirrje ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës e ta sanksionojë Serbinë për këtë.

Për televizionin Pink në Serbi, Vuçiç deklaroi në fundjavë:

Ne do të hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë. Kjo është diçka shumë e madhe për Kosovën dhe ne do ta bëjmë këtë brenda dhjetë ditëve të ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë se do të kujdesemi gjithmonë për të.

Kurti theksoi:

Ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve të tjera janë ndërhyrje në formë të cënimit të demokracisë e sovranitetit të atij shteti.

Serbia u akuzua edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit dhe misioni vëzhgues i BE-së vlerësoi se Serbia e kishte bërë këtë përmes presionit ndaj votuesve serbë në Kosovë. Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Shefi i qeverisë, Kurti e kritikoi Bashkimin Europian se siç deklaroi, nuk ka bërë gjë për ta ndëshkuar Serbinë në këtë drejtim. Ndërkohë, në zgjedhjet lokale të kësaj fundjave, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, Lista Serbe, pritet të rimarrë pushtetin në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Serbët, duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe, nuk morën pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna më 2023-shin, si dhe bojkotuan votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në prill 2024.