Rajoni

Albin Kurti: Nesër betimi i kryetarëve të rinj në veri, në ndërtesa publike!

Sot në mbledhje qeverie, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se nesër betohen kryetarët e rinj të tre komunave me shumicë serbe, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit.

Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj.

Vetëm Zubin Potoku e ka asamblenë komunale funksionale, ndërsa dy komunat e tjera, Leposaviçi dhe Zveçani ende jo. Kryetarët e komunave nuk mund ta kryejnë betimin pa funksionalizimin e asambleve, para të cilave marrin detyrën solemnisht. ​Kryeministri nuk qartësoi si do të mundësohet zhvillimi i procesit të betimit.

Kurti bëri të ditur se në Mitrovicën e Veriut ku Erden Atiç nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje mori mandatin e kryetarit, janë emëruar edhe katër drejtorë.

Janë një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, prej tyre dy gra dhe ky është progres që duhet të normalizohet.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok u mbajtën pasi drejtuesit e mëparshëm nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Masivisht, pjesëtarët e komunitetit serb bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, pra kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Kurti deklaroi se qytetarët e serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime. Sipas tij, qeveria e Kosovës synon të funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, që të garantohen shërbimet publike për të gjithë qytetarët.

Kjo nuk është zgjedhje, është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në Republikë.

Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se me këtë “zyrtarisht filloi pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”. Simiç i dha afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që deri më 1 qershor “të ndalë represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.