E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetarja e Top Channel Alma Demiraj. Ajo ka folur më shumë mbi rastin tronditës të transmetuar së fundmi, ku një dhurues sperme danez, i cili pa vetëdije mbarte një mutacion gjenetik që rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit, ka qenë donator për të paktën 197 fëmijë në të gjithë Europën, ku bën pjesë dhe Shqipëria e Kosova…
A funksionon në Shqipëri tregu i zi i fekondimit artificial apo surrogacia?
Ne jemi në fazën ku po diskutohet ligji i riprodhimit, po shtohen amendamente dhe u kërkua të njihej dhe surrogacia, sikundër u hodhën dhe hamendësime, se fakte konkrete zyrtare nuk ka pasur, që surrogacia është kryer dhe në Shqipëri, por e paligjshme. Ajo që unë do thoja është që të rritet kontrolli për këto klinika, por besoj që me miratimin e ligjit të ri do të ketë dhe një kontroll të shtuar. Dhe po kështu pritet që përveç Maternitetit Koço Gliozheni, ku tashmë ofrohet fekondimi artificial edhe në shtet, për ato çifte që nuk i kanë mundësitë për të shkuar në klinika private, ose për të shkuar në klinika jashtë Shqipërisë, të mund të kenë edhe këtë mundësinë në shtet. Së shpejti pritet që të fillojë dhe në Meternitetin Mbretëresha Geraldinë dhe shpresojmë që së shpejti të mund të arrihet kjo gjë, në mënyrë që t’u japim sa më shumë mundësi çifteve që nuk arrijnë të kenë një fëmijë të tyre.