E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Amadea Stefa, Ambasadore e Paqes në Austri dhe mësuese e vetëshërimit. Ajo ka folur më shumë për vetëshërimin e shpirtit, meditimin dhe shumë të tjera…
A ke frikë nga vdekja?
Jo, sepse e di që nëse iki nga kjo botë, vazhdon bota tjetër, dimensionet e tjera.
Si mund t’ia bëjmë më të lehtë njerëzve faktin që dikush ka ikur nga kjo jetë?
Rëndësia që të mos kemi varësi ndaj atij personi që e ka kryer detyrën e vet. Ai e ka kryer detyrën e vet dhe thotë që “tani dua të iki, nuk e kryej më detyrën time, nuk kam më punë në këtë tokë”.
Edhe nëse dikush largohet nga jeta nga një aksident?
E ka kryer detyrën e vet. Është një shprehje shumë e bukur kineze që thotë: Kur një bebe lind, sa vjen në tokë qan. Pse qan? Sepse thotë që erdha këtu. Kur një person ikën, ne qajmë. Por shpirti thotë: Unë ika nga ky vend, shpëtova. Kuptohet që me vdekje natyrale aq më mirë është për shpirtin. Sidomos personat që vetëvriten, nuk është vdekje e bukur, nuk është vdekje natyrale, ajo nuk është mirë për shpirtin. Prandaj nuk i këshilloj asnjë personi që të marrë këtë vendim, por gjithmonë të shikojnë alternativa, sepse jetën mund ta bëjmë të bukur.