Rajoni

Ambasadorët e QUINT-it takojnë krerët politikë në Kosovë!

Ambasadorët nga disa shtete të QUINT-it dhe i dërguari evropian në Kosovë kanë zhvilluar takime të ndara me krerët e partive politike shqiptare në Kosovë, me të cilët kanë diskutuar për hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka zhvilluar takime të ndara me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Theksova se shumica e popullit në Kosovë aspirojnë t’i bashkohen BE-së. Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat në mënyrë që të arrihet kjo”, shkroi ai në X, pas takimeve me krerët partiakë.

Lidhur me takimin me ambasadorin Orav, Kryeministria tha se Kurti ka biseduar me zyrtarin evropian për hapat e mëtejmë drejt konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

“Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli”, u tha në njoftimin për media.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, po ashtu është takuar me ambasadorin francez, Olivier Guerot, dhe atë Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

“PDKja e konsideron votën shprehje të pjekurisë politike dhe mbështet formimin sa më të shpejtë të një qeverie funksionale dhe të përgjegjshme. Pavarësisht pozicionit tonë politik, interesi i Kosovës dhe i qytetarëve mbetet udhërrëfyesi ynë kryesor përpara”, shkroi Krasniqi në Facebook, pas takimit me ambasadorin francez.