Shtetet e Bashkuara miratuan shitjen e armëve në Ukrainë në vlerë 322 milion dollarë, për të forcuar mbrojtjen e këtij shteti në ajër e fushëbetejë, përballë pushtimit rus. Shitjet e pajisjeve HAWK për mbrojtje ajrore kushtojnë 172 milion dollarë e pajisjet luftarake të këmbësorisë Bradley, 150 milion, siç bëri të ditur Agjencia e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për Siguri dhe Bashkëpunim.
Pajisjet HAWK do t’i përmirësojnë kapacitetet e Ukrainës për t’u përballur me kërcënimet e së tashmes dhe të ardhmes, deklaroi kjo agjenci.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka miratuar shitjet dhe agjencia e Departamentit të Mbrojtjes e ka njoftuar Kongresin, që duhet të japë miratimin e fundit. Gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik, Trump pati deklaruar se planifikonte të pajiste Ukrainën me armë në vlerë “miliarda dollarë” e që do t’i blejë Aleanca Veriatlantike.
Në të njëjtën kohë, Trump i dha Rusisë një afat prej 50 ditësh për t’u pajtuar për një armëpushim ose do t’i vendosë sanksione të ashpra. Miratimi i shitjes potenciale të këtyre armëve vjen pasi Pentagoni ka urdhëruar pezullim të dërgesave tjera në Ukrainë për t’i vlerësuar rezervat e veta, pavarësisht se Kievi është përballur me sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa.
Sulmet kanë vazhduar edhe më 23 korrik, pasi forcat ruse goditën portin e Odesas në Detin e Zi, duke përhapur flakë në objekte banimi. Në anën tjetër, dronët ukrainas kanë goditur territoret ruse, duke vrarë një person dhe duke plagosur një tjetër. Autoritetet ruse të aviacionit kanë thënë se i kanë pezulluar operacionet në aeroportin e Soçit për katër orë.
Sulmet kanë ndodhur të njëjtën ditë kur Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për këmbim të të burgosurve në negociatat e zhvilluara në Turqi. Në takim nuk është arritur përparim për kushtet e armëpushimit dhe palët nuk janë marrë vesh për ndonjë takim në mes të liderëve të Ukrainës e Rusisë.
Kemi arritur përparim në aspektin humanitar dhe jo për ndalim të armiqësive, vuri në dukje shefi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, pas takimeve. Shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky i ka ripërsëritur thirrjet për armëpushime 24 ose 48-orëshe për të mundësuar largimin e trupave të ushtarëve.