Bota

Armët amerikane do të dërgohen në Ukrainë përmes NATO-s!

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë armë në Ukrainë përmes NATO-s, një javë pasi Pentagoni bëri të ditur se do t’i ndalojë. Po ashtu, njoftoi do të bëjë një “deklarim të madh” lidhur me Rusinë më 14 korrik. Nuk dha më shumë hollësi në këtë aspekt, por foli rreth dërgimit të armëve.

Po i dërgojmë armë NATO-s dhe NATO po paguan për këto armë 100%. Pra, çfarë po bëjmë është se armët që po nisen, po shkojnë në NATO dhe më pas NATO do t’i dorëzojë këto armë në Ukrainë dhe NATO do të paguajë për këto armë, u shpreh Trump në një intervistë për NBC-në.

Më herët gjatë javës, Trump deklaroi se do të kërkojë nisjen e disa armëve për mbrojtjen e Ukrainës. Kjo pas komenteve negative të disa anëtarëve të Kongresit rreth njoftimit të Pentagonit të 2 korrikut, se disa armë nuk do të dërgohen për shkak të shqetësimeve se rezervat amerikane kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme.

Trump duket se e përmbysi këtë vendim më 8 korrik, kur tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë për mbrojtjen e Ukrainës, teksa intensifikohen sulmet ruse. Gjithashtu, u shpreh i zemëruar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Po shqyrtoj mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Moskës.

Trump bëri të ditur se po studion propozimin e senatorëve Lindsey Graham e Richard Blumenthal për vendosjen e sanksioneve dhe tarifave ndaj shteteve që mbështesin luftën e Rusisë, si dhe të tjera masa ndëshkuese për sistemin bankar të Rusisë.

Besoj se do të bëj një deklarim të madh për Rusinë të hënën, u shpreh Trump gjatë intervistës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu ka bërë thirrje aleatëve që t’i përdorin “asetet ruse” për rindërtimin e Ukrainës dhe ka kërkuar më shumë armë, investime e prodhim të përbashkët të armëve për mbrojtje. Dje, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se i ka përsëritur homologut rus, Sergei Lavrov se “Moska duhet të jetë më fleksibël”.

Dy diplomatët janë takuar në prag të një samiti në Malajzi.

Na duhet një plan veprimi për të ecur përpara për zgjidhje të këtij konflikti. Administrata Trump është angazhuar me Senatin Amerikan rreth asaj se si mund të duken sanksionet e reja ndaj Rusisë. Patëm bisedë të sinqertë. Ishte e rëndësishme, theksoi Rubio pas takimit në Malajzi.