Bota

Amerika rinis vaksinimin me “Johnson&Johnson”

Amerika i heq pezullimin 11-ditor vaksinës anti-COVID/19 “Johnson& Johnson” por njoftoi se do të shtohet paralajmërimi se kjo vaksinë mund të shkaktojë mpiksje të gjakut. Më herët, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e kishte miratuar për përdorim. Por, 15 persona kryesisht gra rreth të 50-ve që e kishin marrë raportuan raste serioze trombozash.

Tashmë, heqja e pezullimit do të thotë se të paktën dhjetë milionë doza të “Johnson&Johnson”-it që gjenden në fabrikën e kësaj kompanie në Holandë do të mund të dërgohen menjëherë në Amerikë. Në vendin më të goditur në botë nga koronavirusi vijon vaksinimi me “Pfizer&BioNTech” e “Moderna”-n.

Më herët gjatë javës ishte Agjencia Europiane e Medikamenteve që hoqi kufizimet për këtë vaksinë. Ky institucion tha se “Johnson&Johnson”, si dhe vaksina e “AstraZeneca”-s, rrallë shkaktojnë mpiksje të gjakut por se “përfitimet janë më të mëdha se rreziqet”.

Vaksina e “Johnson&Johnson”-it administrohet përmes një doze të vetme. Para se të pezullohej për përdorim, në SHBA e morën thuajse 8 milionë persona.