Joe Biden zgjat emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor 2024. Kjo emergjencë ishte shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor 2001, por presidenti amerikan njoftoi zgjatjen e saj për shkak të situatës në Ballkanin Perëndimor. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet:
Veprimet e personave që kërcënojnë paqen e përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor dhe situata aktuale në këtë rajon paraqesin një kërcënim të pazakontë e të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Në mesazhin e Biden-it për Kongresin Amerikan theksohet:
Për këtë arsye kam përcaktuar se është e nevojshme të vazhdohet emergjenca kombëtare, e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor.
Më 8 qershor të vitit 2021, SHBA-të zgjeruan fushëveprimin e kësaj emergjence kombëtare, pasi u ra dakord se në dy dekadat e fundit, vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur me korrupsion e veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar paralajmëroi se tensionet mes Kosovës e Serbisë kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”. Këto deklarata i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.
Duhet të jetë një përpjekje europiane. Këto shtete janë në Europë, aspiratat e tyre më të mëdha janë që të bëhen pjesë e Europës dhe kur normalizojnë raportet e tyre, po ashtu harmonizojnë sistemet e tyre me Europën. Si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, ne do të dëshironim ta shihnim atë si pjesë të NATO-s e të BE-së. Ne duam një proces që adreson shqetësimet e pesë shteteve të Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën shtet dhe ky duhet të jetë një proces europian.
Tensionet në veri janë rritur nga 26 maji, ditë kur serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit, që u ndihmuan nga Policia e Kosovës.