Bota

Irani godet cisternat me naftë në Ngushticën e Hormuzit!

Ushtria amerikane vijoi sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran, ndërsa presidenti Donald Trump njoftoi rikthimin e bllokadës ndaj transportit detar iranian dhe propozoi vendosjen e një tarife prej 20% për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit nën mbrojtjen amerikane.

Komanda Qendrore e SHBA-ve bëri të ditur se sulmet nisën me urdhër të presidentit Trump, i cili më herët deklaroi se Irani do të goditej “shumë fort” dhe se do të vazhdonin operacionet ushtarake. Më pas, tha se objektivi i sulmeve ishte dobësimi i kapaciteteve iraniane në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se dy cisterna nafte, Mombasa dhe Al Bahiyah, u goditën nga raketa lundruese iraniane gjatë lundrimit në ujërat territoriale të Omanit. Nëntë persona mbetën të lënduar.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se goditi dy supercisterna që sipas saj, kishin shpërfillur paralajmërimet dhe kishin fikur sistemet e navigimit. Teherani akuzoi SHBA-të se po nxit anijet të përdorin rrugë të paligjshme e paralajmëroi se bashkëpunimi me “armikun agresor” do të sillte dëme, vonesa në rihapjen e rrugëve detare dhe pasoja për tregun global të energjisë.

Bahreini njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore rrëzuan disa sulme ajrore iraniane mbi territorin e vendit.

Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump shkroi:

Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur me ose pa Iranin. Amerika do të njihet si “Mbrojtësja e Ngushticës së Hormuzit”. Transportuesit detarë të paguajnë një tarifë prej 20% për mbrojtjen amerikane.

Irani e hodhi poshtë këtë deklaratë. Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi tha se Teherani është dhe do të mbetet garantuesi i sigurisë së ngushticës, ndërsa ironizoi tarifën e propozuar nga Trump duke thënë se “20% është sigurisht shumë”.

Pas sulmeve amerikane, mediat iraniane raportuan shpërthime në Bandar Abbas, në ishujt Kish, Qeshm dhe Abu Musa, si edhe në provincat Bushehr e Khuzestan. Autoritetet iraniane thanë se disa persona u plagosën dhe se operacionet e shpëtimit ishin në zhvillim.

Tregjet reaguan menjëherë ndaj zhvillimeve. Çmimet e naftës u rritën me mbi 9%, ndërsa trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit ka rënë ndjeshëm ditët e fundit, për shkak të rritjes së rrezikut për anijet tregtare.