Aktualitet

Ankand i ri i obligacioneve 20-vjeçare më 10 qershor!

Qeveria shqiptare do të zhvillojë më 10 qershor një ankand të ri të obligacioneve 20-vjeçare. Shuma e ofruar për investitorët do të ketë vlerën e 2 miliardë lekëve. Obligacionet 20-vjeçare u emetuan për herë të parë në muajin janar të këtij viti, nëpërmjet një ankandi për testimin e tregut.

Kërkesa nga investitorët rezultoi mjaft e lartë dhe nga 1.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 4.26 miliardë lekëve. Falë kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.72 miliardë lekësh. Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultuan në nivelin 6.78%, poshtë kuponin referencë prej 7% të paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave.

Në rihapjen e ankandit, që u zhvillua në muajin mars, yield-i uniform i pranuar i ankandit zbriti në 6.15%, duke ndjekur tendencën e përgjithshme të treghut të instrumenteve të borxhit qeveritar.

Edhe rihapja e ankandit tërhoqi interes mjaft të lartë të investitorëve. Nga 1 miliard lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 2.67 miliardë lekëve. Për shkak të kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.15 miliardë lekësh.

Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.

Për shuma deri në 50 milion lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milion lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Sipas rregullave të ankandit, në ankandet e obligacioneve të gjitha kërkesat pranohen me një yield uniform, që është yield-i më i lartë mes kërkesave të pranuara në ankand.

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Këto instrumente janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në protofole dhe për të rritur kthimet për anëtarët.

Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim më afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë. Për herë të parë vitin e kaluar, tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare në lekë tërhoqi edhe investitorë institucionalë nga jashtë vendit.