Tech

Anthropic nën hetim, çfarë ka ndodhur?

Kompanisë së Inteligjencës Artificiale Anthropic po i bëhet një hetim i brendshëm, pas raportimeve për një akses të paautorizuar në modelin e saj të avancuar Claude Mythos, i cili ishte shpërndarë vetëm për një grup shumë të kufizuar kompanish të besuara për arsye sigurie. Sipas njoftimeve, incidenti lidhet me një sistem të përdorur nga kontraktorë dhe kompani të treta që punojnë me Anthropic. Dyshohet se një grup përdoruesish ka shfrytëzuar aksesin e një kontraktori për të hyrë në model, i cili është projektuar me aftësi të avancuara në fushën e sigurisë kibernetike.

Anthropic deklaroi se po e heton rastin dhe se deri tani nuk ka prova që aktiviteti të ketë dalë përtej “mjedisit të furnitorëve”, që përdoret nga partnerët e jashtëm për testim dhe zhvillim sistemesh. Modeli Mythos është cilësuar si një nga sistemet më të avancuara të kompanisë dhe është shpërndarë vetëm për një grup të kufizuar kompanish të mëdha teknologjike, për shkak të shqetësimeve se mund të përdoret për sulme kibernetike në shkallë të gjerë dhe me shpejtësi të lartë.

Sipas raportimeve, një nga personat e përfshirë në incident dyshohet se ka përdorur kredencialet e tij si kontraktor për të hyrë në sistem. Megjithatë, nuk është konfirmuar se cili partner apo furnitor është përfshirë në shkelje. Ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë e modeleve të avancuara të AI-së dhe për rrezikun e keqpërdorimit të tyre në duart e aktorëve keqdashës, veçanërisht në fushën e sulmeve kibernetike. Anthropic është përballur më herët me probleme të ngjashme sigurie, përfshirë incidente ku informacione të brendshme dhe kode burimore janë bërë publike aksidentalisht, duke ngritur pyetje mbi kontrollet e brendshme të sigurisë në kompanitë e mëdha të AI-së.