Këshilli i Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës mori një vendim për të anuluar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian (BE), takim i cili ishte planifikuar të mbahej më 4 dhe 5 dhjetor në Neum, në Bosnjë. Për Radion Evropa e Lirë, lajmin e konfirmoi zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, njëherazi ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez.
Samiti është anuluar sepse ka dështuar tenderi për organizimin e kësaj ngjarjeje. Ka pasur një ankesë ndaj atyre që u kualifikuan si ofertuesit më të mirë, tha Helez duke folur për Radion Evropa e Lirë. Zyrtari shtoi se tenderi i ri për organizimin e samitit do të shpallet “menjëherë” dhe se me shumë gjasa, kjo ngjarje mund të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.
Ndërkaq, ishte planifikuar që eventi të mblidhte drejtuesit kryesorë nga vendet e rajonit e Bashkimi Europian, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe për të shqyrtuar çështje të rëndësishme politike, ekonomike e shoqërore.
Në samit, edhe pse nuk ishte konfirmuar zyrtarisht, siç është thënë për REL-in nga Delegacioni i BE-së në Bosnjë- Hercegovinë, pritej të merrte pjesë edhe Marta Kos, e cila më 1 dhjetor merr detyrën e eurokomisioneres për Zgjerimin. Kjo do të ishte një nga vizitat e saj të para zyrtare.