Inceneratori i Tiranës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dha konkluzionet përfundimtare për Alqi Bllakon, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
SPAK-u kërkoi 5 vite burg për Bllakon, i akuzuar “Për korrupsion pasiv” në çështjen e inceneratorit të Tiranës. Prokurori Dritan Prençi tha se Bllako është zyrtar i lartë shtetëror dhe kërkoi shpalljen e tij fajtor për “Korrupsion pasiv” në dy raste.
Nëse dënohet në GJKKO me 5 vite burg, pritet të përfitojë gjykimin e shkurtuar 3.4 vite burg dhe 5 vite mosushtrim të funksioneve publike. Për Bllakon, kjo është hera e dytë që jepet pretencë për inceneratorin e Tiranës pasi Apeli i GJKKO-së e riktheu për rigjykim në Shkallën e Parë.
Nga aktet e administruara dhe gjatë hetimeve të kryera për kontratën koncensionare të vitit 2017 për “Ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend-depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. janë konstatuar akte korruptive të të pandehurit Alqi Bllako, i cili në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste:
a. vlerën monetare prej 119.715 euro
b. vlerën monetare prej 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin, thuhej në njoftimin e SPAK-ut të bërë më herët.