Aktualitet

Apeli lë në burg Ilir Metën!

Apeli i Posaçëm la në burg Ilir Metën. Presidenti i Partisë së Lirisë ankimoi në Apel vendimin e Shkallës së Parë të datës 26 qershor, që vijoi masën “Arrest në burg”.

Para nisjes së seancës, në një deklaratë të shkurtër për mediat, avokati i ish-presidentit, Kujtim Cakrani u shpreh:

Patjetër që do lirohet, e ka thënë Ajatollahu sot, do ta lirojmë.

Pas vendimit, Cakrani u shpreh:

Kjo drejtësi sot i arreston qytetarët dhe nuk arrin të përfundojë hetimet. Përpara pyetjeve që kam bërë përse duhet të qëndrojë presidenti në burg, të dy prokurorët nuk dhanë asnjë shpjegim. Edhe të pyetur nga gjykata ishin të pafuqishëm, nuk kishin një arsye reale. Ne arsyet tona i dimë. Presidenti i Republikës po mbahet në kushtet e paraburgimit jo normale, por në kushtet e persekutimit politik. I janë mohuar të drejtat elementare, telefonatat. Gjykata këto i lejon, këta nuk janë gjyqtarë këta janë rrogëtarë, janë të varur dhe të kapur. Gjykata sot nuk u ngrit dot në lartësinë e duhur, u shpreh Cakrani.

Pak ditë më parë presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg.

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Meta u shpreh se vendimet e tre gjykatave ai i Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, si dhe Gjykatës së Shkallës të Parë, për masën arrest me burg ndaj tij janë antikushtetuese, pasi shkelin Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se po mbahet në qeli pa akuzë.

Më 26 qershor, GJKKO-ja rikonfirmoi “Arrestin me  burg” ndaj tij. Ish-Presidenti i Republikës pretendoi se akuzat nuk qëndrojnë. Meta iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të 27 shkurtit të Gjykatës së Lartë, që e la në “Arrest me burg”, si dhe prishjen e vendimeve edhe në shkallët më të ulëta, atë të Apelit të GJKKO-së e Shkallës së Parë.

Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK-u për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të pasurisë.