Bota

Apeli lejon përkohësisht që tarifat e Trump-it të mbeten në fuqi!

Presidenti amerikan, Donald Trump mund të vazhdojë të mbledhë taksa mbi importet për momentin, pasi një gjykatë Apeli ka pranuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për të pezulluar përkohësisht një vendim gjyqësori që i shpalli tarifat të paligjshme.

Gjykata Federale e Apelit ndaloi zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare, që kishte arritur në përfundimin se Trump tejkaloi kompetencat kushtetuese duke vendosur këto tarifa globale. Vendimi i së mërkurës ngjalli kritika nga zyrtarë të administratës Trump, të cilët e quajtën “shembull të ndërhyrjes së tepërt nga gjyqësori”.

Tarifat janë kundërshtuar nga sipërmarrje të vogla dhe disa shtete amerikane, që argumentojnë se masat në qendër të axhendës tregtare të Trump-it kanë tronditur rendin ekonomik global. Në apelimin e saj, administrata Trump argumentoi se vendimi i dhënë nga Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare vuri në pikëpyetje në mënyrë të gabuar autoritetin presidencial dhe rrezikoi të prishte muaj të tërë negociatash tregtare të vështira.

Janë degët politike, jo gjykatat, ato që përcaktojnë politikën e jashtme dhe orientimin ekonomik të vendit, thuhej në padinë e dorëzuar nga Shtëpia e Bardhë.

Pak para vendimit të Gjykatës së Apelit për të pezulluar përkohësisht ndalimin e tarifave, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi:

Amerika nuk mund të funksionojë nëse presidenti Trump apo cilido president tjetër pengohet në negociatat diplomatike apo tregtare nga gjyqtarë aktivistë.

Trump reagoi ashpër ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë për tarifat tregtare, duke shkruar në rrjetet sociale:

Shpresoj që Gjykata e Lartë ta përmbysë këtë vendim të tmerrshëm dhe kërcënues për vendin, sa më shpejt dhe në mënyrë vendimtare.

Vendimi i së mërkurës nga një gjykatë pak e njohur tregtare në Nju Jork shpallte të pavlefshme tarifat e vendosura në shkurt nga Trump për mallrat nga Kina, Meksika dhe Kanadaja, të justifikuara nga administrata si përpjekje për të luftuar kontrabandën e fentanilit.

Gjykata kishte vendosur gjithashtu që të rrëzonte një taksë të përgjithshme prej 10% mbi të gjitha importet globale, të shpallur muajin e kaluar, si dhe tarifat “reciproke” më të larta ndaj partnerëve kryesorë tregtarë, përfshirë BE-në dhe Kinën.

Sipas gjykatës, ligji i vitit 1977 – International Emergency Economic Powers Act – mbi të cilin Trump ishte mbështetur për këto masa, nuk e autorizonte një vendim kaq gjithëpërfshirës pa miratim nga Kongresi. Megjithatë, ky vendim nuk preku tarifat mbi automjetet, çelikun dhe aluminin, të vendosura përmes një ligji tjetër.

Shtëpia e Bardhë ka pezulluar ose rishikuar disa prej tarifave ndërkohë që negociatat tregtare vazhdojnë. Por, vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit lejon që tarifat të vazhdojnë të zbatohen përkohësisht, deri në një vendim përfundimtar. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për më 5 qershor.