Një gjykatë amerikane bllokoi tarifat reciproke të presidentit Donald Trump. Duke i quajtur “të paligjshme”, tre gjyqtarët e Gjykatës Amerikane të Tregtisë Ndërkombëtare kanë vendosur se “ligji i thirrur nga presidenti për të vendosur tarifat nuk i jep atij autoritetin për ta bërë këtë”.
Ky vendim ka shkaktuar zemërimin e Shtëpisë së Bardhë. Zëvendësshefi i stafit, Stephen Miller, e quajti atë “grusht shteti gjyqësor jashtë kontrollit” dhe më pas, një zëdhënës i Pennsylvania Avenue e denoncoi vendimin.
Nuk u takon gjyqtarëve të vendosin se si ta adresojnë siç duhet një emergjencë kombëtare. Presidenti Donald Trump është i përkushtuar për ta vënë Amerikën në vend të parë dhe administrata është e përkushtuar për të përdorur çdo levë të pushtetit ekzekutiv për të adresuar këtë krizë e për të rivendosur madhështinë e Amerikës.
Administrata Trump ka njoftuar tashmë se do të apelojë për të përmbysur vendimin e tre gjyqtarëve, një të emëruar nga Barack Obama, një nga Ronald Reagan dhe një nga vetë Trump. Nuk përjashtohet mundësia që çështja të shkojë në Gjykatën e Lartë.
Në një tjetër zhvillim, Elon Musk po largohet nga roli i tij qeveritar si këshilltar i lartë i presidentit amerikan Donald Trump, pasi drejtoi përpjekjet për të reduktuar dhe reformuar burokracinë federale, raporton agjencia Associated Press. Largimi i tij, i njoftuar dje në mbrëmje, po shënon fundin e një kapitulli që përfshiu mijëra largime nga puna, shuarjen e agjencive qeveritare, si dhe një sërë padish.
Njoftimi vjen një ditë pasi CBS publikoi pjesë të një interviste në të cilën Musk kritikonte ligjin kryesor të agjendës së Trumpit, duke thënë se ishte “i zhgënjyer” me atë që presidenti e quante “projektligji i madh e i bukur”. Ligji përfshin një kombinim të uljes së taksave dhe forcimit të kontrollit të emigracionit. Musk e quajti atë “projektligj shpenzimesh masive”, që rrit deficitin federal dhe “minon punën” e Departamentit të tij për Efikasitet.