Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Apple Vision Pro
Isha disa ditë në Paris, dhe sigurisht s’mund te rrija pa vizituar Apple Store. Kishte plot njerëz që prisnin rradhën për iPhonat e rinj, por të gjjithe modelet ishin “sold out” përveç iPhone Air. Meqenëse s’e gjeta 17 Pro qe doja, u ngushëllova duke provuar Apple Vision Pro.
Dhe po jua them direkt: është çmenduri absolute. Sapo vendosa headset-in, u zhduk çdo gjë rreth e rrotull. Apple e quan “spatial computer”, dhe e kupton menjëherë pse. Nuk shikon më thjesht një ekran – aplikacionet, filmat, dritaret, të gjitha shfaqen përpara teje, në ajër, si një botë paralele.
Eye tracking është kaq i saktë, sa duket sikur pajisja po lexon mendimet e tua. Shikon një ikonë, ajo ndriçon, e hap me një klikim të vogël të gishtit. Pa tastierë, pa maus – vetëm sytë e tu dhe duart.
Pastaj vjen audio 3D. Të jep ndjesinë se zëri vjen fiks nga vendi ku po ndodh skena. Po shikoja një trailer filmi dhe mendova sikur isha në një sallë kinemaje private, vetëm për mua.
Por, duhet thënë edhe kjo: çmimi prej 4000 eurosh nuk justifikohet. Po, teknologjia është mahnitëse, ndoshta më e mira që kam parë ndonjëherë, por është ende e madhe, e rëndë, dhe me një bateri që mban vetëm dy orë. Është më shumë një hap tjetër drejt së ardhmes, se sa një pajisje për përdorim të përditshëm.
Pra, përvoja ime në Apple Store në Paris ishte unike. Ndërkohë që të tjerët prisnin në rradhë për iPhone 17, unë pashë nga afër kompjuterin e të ardhmes Vision Pro është një “wow” i madh… por për momentin, për shumicën është një luks që vetëm mund ta prekësh, jo ta kesh.