Bota

Arabia Saudite thyen një tabu 73-vjeçare?! Alkooli lejohet “në heshtje” për të huajt e pasur?

Arabia Saudite ka nisur pa zhurmë një ndryshim historik, duke u lejuar disa banorëve të huaj të pasur të blejnë alkool, pas më shumë se shtatë dekadash ndalim absolut.

Sipas vëzhguesve, ky hap mund të jetë vetëm fillimi i një liberalizimi më të gjerë që në të ardhmen mund të përfshijë edhe turistët, raporton nga Riadi gazetari Sameer Hashmi.

Për vite me radhë, Lagjja Diplomatike e Riadit ka qenë një botë më vete: ambasada luksoze, rezidenca të shtrenjta, gjelbërim i bollshëm dhe një atmosferë kozmopolite që tërheq si të rinj sauditë, ashtu edhe emigrantë. Tani, kjo zonë elitare është kthyer edhe në skenën e një eksperimenti delikat politik.

Brenda një kompleksi të thjeshtë, pa tabela dhe pa vëmendje publike, një dyqan i vogël ka nisur të shesë pije alkoolike për një grup shumë të kufizuar: të huaj jo-muslimanë me të ardhura të larta. Ky zhvillim përfaqëson një nga ndryshimet më të ndjeshme sociale në historinë moderne të mbretërisë.

Arabia Saudite, shtëpia e dy vendeve më të shenjta të Islamit, e ndaloi alkoolin që në vitin 1952.

Megjithatë, vitet e fundit, nën drejtimin e princit të kurorës Mohammed bin Salman, vendi ka nisur një seri reformash që synojnë modernizimin e shoqërisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Kinematë janë rihapur, janë organizuar festivale të mëdha muzikore, grave u është lejuar të drejtojnë makinën dhe fuqia e policisë fetare është kufizuar ndjeshëm. Megjithatë, legalizimi i kontrolluar i alkoolit konsiderohet nga shumë analistë si hapi më i guximshëm deri tani.

Dyqani i parë i alkoolit u hap në Riad në janar 2024, por fillimisht ishte i aksesueshëm vetëm për diplomatët jo-muslimanë.

Sipas rregullave të reja, të futura në heshtje në fund të vitit 2025, edhe banorët e pasur të huaj jo-muslimanë mund të blejnë tashmë birrë, verë dhe pije të forta.

Për t’u kualifikuar, emigrantët duhet të kenë një leje qëndrimi Premium, me kosto vjetore rreth 100 mijë rialë sauditë, ose të provojnë se fitojnë të paktën 50 mijë rialë në muaj. Kjo skemë është kryesisht e destinuar për drejtues të lartë, investitorë dhe profesionistë të specializuar.

Edhe pse ndryshimi po ndodh larg syrit publik, ai shihet si një sinjal i qartë se Arabia Saudite po teston kufijtë e traditës, duke balancuar mes identitetit fetar dhe ambicies për t’u kthyer në një qendër globale për biznes dhe turizëm.