Bota

E dhunuan dhe iu hakerua telefoni sepse u tall me princin e Arabisë Saudite, komediani trondit me rrëfimin e tij!

Me qindra milionë shikime, YouTuberi Ghanem al-Masarir ishte në majë të botës. Nga apartamenti i tij në Wembley, komediani kontrovers dhe ndonjëherë ofendues po bënte bujë si kritik i familjes mbretërore të Arabisë Saudite. Por përveç fansave, ai kishte bërë edhe disa armiq të fuqishëm. Gjëja e parë që vuri re al-Masarir ishte se telefonat e tij po silleshin çuditshëm. Ata filluan të punonin shumë ngadalë, me bateritë që mbaronin shpejt.

Pastaj ai vuri re të njëjtat fytyra që shfaqeshin në pjesë të ndryshme të Londrës. Njerëz që dukeshin si mbështetës të regjimit saudit filluan ta ndalonin në rrugë, ta ngacmonin dhe ta filmonin. Por si e dinin ata se ku ndodhej gjatë gjithë kohës? Al-Masarir kishte frikë se telefoni i tij po përdorej për ta spiunuar. Ekspertët kibernetikë do të konfirmonin më vonë se ai ishte bërë viktima e fundit që u spiunua me mjetin famëkeq të hakerimit Pegasus.

“Ishte diçka që nuk mund ta kuptoja. Ata mund të shohin vendndodhjen tuaj. Ata mund të ndezin kamerën. Ata mund të ndezin mikrofonin, t’ju dëgjojnë”, i thotë al-Masarir BBC-së. “Ata marrin të dhënat tuaja, të gjitha fotografitë, gjithçka. Ndiheni sikur jeni dhunuar”, shtoi ai. Të hënën, pas gjashtë vitesh betejash ligjore, Gjykata e Lartë në Londër vendosi që Arabia Saudite ishte përgjegjëse dhe urdhëroi mbretërinë t’i paguante al-Masarir më shumë se 3 milionë paund kompensim.

Iphone-t e Al-Masarir ishin hakuar në vitin 2018 pasi ai klikoi në tre mesazhe që me sa duket ishin dërguar nga mediat si oferta speciale anëtarësimi. Kjo çoi në ndjekjen, ngacmimin dhe në gusht të atij viti, rrahjen e tij në Londër. Gjykata dëgjoi se si dy të huaj i ishin afruar al-Masarir dhe i kishin bërtitur, duke kërkuar të dinin se kush ishte ai për të folur për familjen mbretërore saudite, përpara se ta godisnin në fytyrë dhe më pas të vazhdonin ta sulmonin.

Kalimtarët ndërhynë dhe dy burrat u tërhoqën, duke e quajtur YouTuber-in “skllav të Katarit” dhe duke thënë se do t’i “jepnin një mësim”. Gjykata e Lartë e përshkroi sulmin fizik si të paramenduar dhe vuri në dukje se njëri nga sulmuesit mbante kufje. “Ekziston një bazë bindëse se sulmi dhe hakërrimi u drejtuan ose u autorizuan nga Mbretëria e Arabisë Saudite ose agjentë që vepronin në emër të saj”, tha gjykatësi Saini në vendimin e tij me shkrim.

“Mbretëria e Arabisë Saudite kishte një interes dhe motivim të qartë për të mbyllur kritikat publike të paditësit ndaj qeverisë saudite”, vendosi gjykatësi. Pas sulmit, ngacmimi vazhdoi. Në vitin 2019, një fëmijë iu afrua al-Masarir në një kafene në Kensington dhe këndoi një këngë duke lavdëruar Mbretin Salman, monarkun saudit. Ky incident u filmua dhe u postua në mediat sociale, filloi të bëhej trend me hashtagun e vet dhe madje u transmetua në televizionin shtetëror në Arabinë Saudite.