Në Fier u godit një grup kriminal që merrej me trafik armësh e kultivim të bimëve narkotike të llojit cannabis sativa. Sipas njoftimit zyrtar, katër persona u arrestuan dhe u sekuestruan gjashtë armë zjarri, 4 mijë fidanë e 5 mijë fara cannabis-i, qindra fishekë, si dhe uniformë e radio policie.
Operacioni i koduar “Procedimi”, u zhvillua pas hetimeve disa mujore me metoda speciale, në bashkëpunim mes Drejtorisë Vendore të Policisë, si dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Grupi kriminal operonte në disa qytete të vendit e furnizohej me armë nga Kosova përmes kufirit të gjelbër.
Nga kontrollet u sekuestruan armë, municione, kanabis i kultivuar dhe mjete të ndryshme, ndërsa dyshohet se grupi vepronte i organizuar me qëllim trafikimin e armëve dhe narkotikëve. Hetimet dhe operacionet vazhdojnë për të identifikuar dhe kapur anëtarët e tjerë të tij.
Teksa vuri në dukje se operacioni është rezultat i bashkëpunimit mes policisë dhe Prokurorisë, drejtori i Policisë Fier, Skënder Hita, theksoi goditjen e veprimtarive kriminale në rajon.
Ky operacion është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Operacioni “Procedimi” është finalizimi i një hetimi të thelluar me metoda speciale, që ka për qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në rajonin tonë.
Hetimet zbuluan se grupi vepronte në disa qytete, duke siguruar armë nga Kosova dhe duke kultivuar cannabis në zona të ndryshme të Fierit e jashtë tij.
Strukturat tona do të vijojnë pa ndërprerje luftën kundër trafikimit të armëve dhe narkotikëve, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe turistëve, deklaroi Hita.