Policia e Kosovës bëri të ditur se arrestoi një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it. Në njoftimin zyrtar thuhet se i dyshuari, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi” u prangos dhe u shoqërua në stacionin policor lidhur me dyshimet se “ky person është përfshirë në sulmin ndaj KFOR-it, në datën 29 maj”.
Atë ditë, të lënduar mbetën rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë përpjekjeve për të shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.
E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e identifikoi të arrestuarin si Nenad O. Sipas Beogradit zyrtar, arrestimi i tij është dëshmi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk dëshiron dialog apo paqe, por kërkon vetëm që të arrestojë të gjithë serbët e po ashtu të provokojë konflikte jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”.
Më 31 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë bëri të ditur se është vendosur masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan më 29 maj.
Protestat në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, në veriun e Kosovës me shumicë serbe filluan më 26 maj, kur grupe serbësh u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit. Ata u ndihmuan nga Policia e Kosovës, mes kundërshtimeve të forta të protestuesve serbë.
Aleksandër Vuçiç vlerëson se tensionet Serbi-Kosovë kanë shkuar shumë larg dhe se ai nuk sheh çelës për zgjidhjen e situatës. Presidenti serb foli pas vizitës në Bruksel ku dje takoi kryediplomatin europian Borrell dhe të dërguarin për Dialogun, Lajçak. Vuçiç tha se nuk është bërë asnjë hap në de-përshkallëzimin e gjendjes në veri të Kosovës. Ndërkaq, vlerësoi përpjekjet e Brukselit në këtë drejtim. Në kryeqendrën europiane ishte dhe kryeministri Albin Kurti.