Aktualitet

ARRSH: Vijon pastrimi i rrugëve nga bora, qarkullimi normal!

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se gjatë natës kanë vazhduar reshjet e borës në zonat veriore dhe juglindore të vendit. Në rrugët e Dardhës e të Voskopojës në Korçë ka pasur reshje dëbore me intensitet të ulët, shoqëruar me rënie temperature deri në -6 °C.

Sipas njoftimit të ARRSH-së, grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë bërë pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat, duke siguruar që qarkullimi të vijojë normalisht në të gjitha akset. ARRSH-ja u bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë, si dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, njoftoi hapjen e rrugës Bogë-Theth pranë Qafë Thores, pas disa orësh bllokim nga ortekët. Në një postim në rrjetet sociale, Beci bëri të ditur se firmat kontraktuese kanë punuar gjatë gjithë natës për të hapur segmentin rrugor.

Pas disa orësh bllokim nga ortekët, rruga Bogë-Theth pranë Qafë Thores është tashmë e hapur. Firmat kontraktuese kanë punuar gjatë gjithë natës për të mundësuar hapjen e këtij segmenti rrugor.

Drejtuesve të automjeteve iu bëri thirrje të përdorin zinxhirë e goma dimri, për të shmangur çdo rrezik dhe për të udhëtuar të sigurt.

Për drejtuesit e automjeteve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve dhe gomave të dimrit për të shmangur çdo rrezik dhe për të udhëtuar të sigurt.

Sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme, për shkak të masave ajrore të ftohta e të lagështa. Moti me vranësira mesatare e të dendura në pjesën e parë të ditës, vijon i kthjellët nga mesdita, kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore, si dhe me vranësira mesatare në relievet malore në verilindje e juglindje të territorit. Temperaturat variojnë minus 4-16 gradë celcius.

Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar në zonat luginore në orët e mëngjesit/mbrëmjes, si dhe në momentin e reshjeve të shiut e borës. Prani e ngricave përgjatë akseve rrugore në relievet malore në lindje. Era fryn me drejtim nga verilindja e me shpejtësi mesatare 4-12 m/sek, ndërsa në lugina dhe bregdet, hera-herës do të arrijë shpejtësi 14-22 m/sek, shoqëruar me valëzimin në det të forcës 4-5 ballë.