Aktualitet

Arti në zi, ndahet nga jeta sopranoja e njohur Luiza Çako Papa, nëna e Pirro Çakos!

Ndahet nga jeta sopranoja Luiza Çako Papa, bashkëshortja e artistit Gaqo Çako. Luiza Çako ka pasur një karrierë të pasur artistike, ndërsa veprat e saj do të lenë shenjë në artin shqiptar. Ajo është nëna e këngëtarit dhe kantautorit të njohur Pirro Çako.

Luiza Çako mbetet një nga emrat më të spikatur të skenës lirike shqiptare. Me një karrierë të gjatë e të suksesshme, vlerësohet se kontribuoi në pasurimin e kulturës muzikore në vend, duke interpretuar një sërë rolesh kryesore në vepra operistike brenda e jashtë Shqipërisë teksa njihej për interpretimin e ndjerë, teknikën vokale dhe elegancën artistike.

Në një intervistë të korrikut të vitit 2021, tregonte se ishte 3 vjet më e vogël se bashkëshorti Gaqo Çako (24 janar 1935- 1 gusht 2018). Eshtë përfshirë në të gjitha operat kryesore në vend, ku gjithashtu ka kënduar këngë popullore qytetare, madje edhe në koncertet jashtë Shqipërisë.

Unë kam pasur shumë pasion edhe këngën popullore. Më thanë të këndoja në Rumani këngë popullore e ndonjë duet me Hysen Koçinë. Kur kam shkuar në Rumani kam pasur një sukses të paparë, sa nuk më besohej. Madje kënduam këngë në shqip. Nuk e di si i ngjiti rumunëve kënga jonë popullore. Na kthyen. Ishte një sukses i madh për mua.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme në jetën time artistike, opera jonë shkoi në Kinë. Në fillim ishte dhe emri im. Por gjuetia e shtrigave kishte bërë të vetën, nuk më lejuan. Pastaj ishin dhe xhelozitë mes nesh.

Në opera kam pasur hapësirën time, sepse edhe punoja shumë. Kam qenë shumë e shkathët. Atë kohë shitej një biletë 50 lekë për të parë Luiza Papën. Vinin hungarezet me shampanjë tek dera, me sapunë me erë, por nuk i merrja kurrë. Ruaja personalitetin. Ishte viti 1964 kur isha në kulmin e karrierës. Në rolin “Princesha e Çartneshit” më kanë sjellë një shportë me karafila.

Në opera kam 20 role duke filluar që nga “Lola”, “Nina”, “Don Pascuale” që mora dhe bursën “Mamicën”, Karnavalet e Korçës”, “Rigoleton”, etj. Dua të veçoj se një problem kam pasur kur doja të shkoja në Japoni, nuk di pse nuk më jepnin vizën. Kisha dëgjuar që aty i pëlqenin shumë sopranot.