Në një intervistë së fundmi, Pirro Çako ka bërë një nga rrëfimet më emocionale të jetës së tij, duke folur me zë të dridhur për humbjen e nënës së tij, Luiza Çako, e cila u nda nga jeta në shtator.
Artisti u ndal te kënga “Nënë, më mungon”, të cilën ia ka dedikuar asaj, duke shpjeguar domethënien e vargjeve që kanë prekur thellë publikun.
Një prej tyre, “dritat e pemës s’ka kush mi ndriçon”, lidhet me një kujtim shumë personal dhe simbolik mes nënës dhe djalit.
Pirro tregoi se vite më parë i kishte dhuruar së ëmës një “pemë jete”, të cilën ajo e mbante gjithmonë pranë, sidomos gjatë periudhave të vështira shëndetësore. Për të, pema ishte kthyer në simbol shprese dhe force.
Ishte sikur ajo pemë e ruante, sikur Zoti e mbante
-rrëfeu ai.
Momenti më tronditës erdhi kur, pas pesë vitesh, e ëma i foli për herë të parë për dritat e pemës, duke i thënë se i dukej sikur po fikeshin dhe se kishin mbetur shumë pak ndezur. Kur Pirro iu afrua për ta parë nga afër, kuptoi se vetëm një pjesë e vogël e dritave funksiononin ende.
Vetëm një javë më pas, Luiza Çako u nda nga jeta. Ky kujtim, sipas Pirros, iu rikthye natyrshëm ndërsa ishte pranë pianos dhe u shndërrua në frymëzim për këngën prekëse.
Tani që ajo s’është më, s’ka kush të m’i ndezë dritat e bredhit
-tha ai, duke shtuar se ata ia mbanin njëri-tjetrit dritat ndezur derisa u fikën përgjithmonë.