Në një postim në Instagram, Banksy zbuloi veprën e tij të fundit me mbishkrimin: “Dua të jem ajo që ti pe tek unë”. Postimi nuk shoqërohej me vendndodhje. Brenda dhjetë orësh nga postimi, kishte mbledhur më shumë se 500 mijë pëlqime. Ndërsa arti i Banksy-t përmban rregullisht satirë ose kuptim socio-politik, kjo vepër e re arti i bën fansat të futen në mendime.
Ndoshta një kritikë ndaj mbikëqyrjes shtetërore? Apo ndoshta një koment rreth izolimit modern? Apo është diçka më personale, një ndjenjë universale e karakterizuar nga një nuancë melankolie?
Edhe një herë, Banksy shkëlqen duke marrë një objekt të zakonshëm dhe duke e shndërruar atë në diçka krejtësisht më të habitshme. Një kujtesë e thjeshtë, por e fuqishme se ajo që ne e hedhim poshtë në jetën e përditshme si të zakonshme mund të marrë kuptime të ndryshme në varësi të mënyrës se si vendosim ta vëzhgojmë atë.
Vepra e re artistike i ka lënë gjithashtu fansat e Banksy-t të spekulojnë mbi vendndodhjen e saj. Shumë kanë spekuluar se vepra mund të jetë Marsejë, në jug të Francës.
Ajo që dihet me siguri është se vepra vjen pesë muaj pas asaj “Mother and Child” (Nëna dhe fëmija) të dhjetorit 2024 që riinterpretoi ikonografinë fetare të “Madonna and Child” në një dritë bashkëkohore dhe ndjek fushatën “Beastly London” të artistit të vitin 2023, një “shpërthim” nëntëditor muralesh me temë kafshësh të shpërndara në të gjithë qytetin.
Ndërkaq, vokalisti i Blink-182, Mark Hoppus, shiti pikturën e tij Banksy për 5.2 milion euro në një ankand në Londër këtë vit.

Rekordi për një shitje të Banksy-t qëndron ende në 18.6 milion paund në vitin 2021 (27 milion euro) për “Love is in the Bin” (Dashuria është në Kosh). Pasi Banksy instaloi një copëtues letrash në kornizën e pikturës të vitit 2006 “Girl with Balloon” (Vajza me tullumbace) dhe e programoi atë të vetëshkatërrohej pas një ankandi në vitin 2018, piktura gjysmë e copëtuar u riemërua dhe u shit për shumën astronomike. / shqip.al