AstraZeneca e përdorur edhe në Shqipëri kundër koronavirusit vazhdon të rikonfirmohet si vaksinë e sigurt, me përfitime gjerësisht pozitive. Orët e fundit pati një tjetër ndërhyrje nga Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA për të hedhur poshtë lidhjet e “AstraZeneca”-s me rastet e trombozave cerebrale venoze siç deklaroi një zyrtar i saj.
Për EMA-n nuk ka ndryshime në qëndrim.
Nga të dhënat prej vendeve si Britania e Madhe e të tjera, përfitimet e vaksinimit me “AstraZeneca”-n janë të rëndësishme në uljen e vdekshmërisë mes atyre që vaksinohen.
Të dhënat pritet të shqyrtohen sot edhe nga Komiteti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi Sigurinë e Vaksinave, për të dhënë përfundime më vonë gjatë javës.
Garanci për sigurinë e “AstraZeneca”-s japin edhe mjekët në Shqipëri. Shefi i Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Arben Ivanaj:
Eshtë vaksinë e sigurtë, komplikacionet që jep janë zero, afër zeros. Nëse nga “AstraZeneca” kanë vdekur afërsisht 100 vetë nga 45 milionë doza të aplikuara, nga koronavirusi, shanset për të vdekur i kemi 1 mijë herë përqind nëse infektohemi.
Referuar studimeve se përse shkaktohet mpiksja e gjakut, Ivanaj i bën jehonë dy propozimeve të ofruara për t’u konfirmuar ose hedhur poshtë.
Eshtë një studim holandez sipas të cilit, si heparina, hollues gjaku, shkakton trombopeninë. Ndërsa një ekip francez ua lë fajin mjekëve. Shiringa futet në kapilar dhe gati një e treta e dozës së vaksinës injektohet në kapilar e futet në gjak dhe ky produkt nuk duhet të hyjë në gjak por të merret vetëm në muskul.
Boris Johnson nxit britanikët të ndjekin rekomandimet e Autoritetit Shëndetësor Britanik e të vazhdojnë të vaksinohen me vaksinën anti-COVID/19 “AstraZeneca”. “Eshtë shumë e rëndësishme të vazhdohet në këtë rrugë”, – tha kryeministri britanik për BBC-në. Sipas tij, vaksina pati një ndikim në trajektoren e virusit.
Në total, mbi 37 milionë persona janë vaksinuar në Britaninë e Madhe. Rreth 5 milionë e 500 mijë prej tyre, tashmë kanë marrë dozën e dytë.