Aktualitet

Atentati me të plagosur në Shkodër, policia jep detaje!

Policia e Shkodrës vijon hetimet për atentatin e mbrëmshëm me armë zjarri në Dobraç të Ri ku mbeti i plagosur shtetasi Dedë Pllanaj, roje në një karburant, pas rotondos së Dobraçit. Pas ndihmës së parë në spitalin e Shkodrës, 60-vjeçari u transportua për te i Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar, por doli nga rreziku për jetën. Ai është kushëri i parë i Bardhok Pllanajt, i ekzekutuar para një viti, në prill të 2021-shit. Në dëshminë dhënë hetuesve, Dedë Pllanaj tha se “nuk ka dijeni mbi arsyet e autorët” dhe se “nuk ka konflikte”.

Po qëndroja ulur tek puna në karburant, si gjithmonë. Në një moment erdhi një motoçiketë, drejtuesi i saj ishte me kaskë të zezë. Zbriti dhe u afrua drejt meje e më qëlloi. Nuk ia pashë dot fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe as arsyen.

Burime nga grupi hetimor thonë se “në drejtim të 60-vjeçarit u shkarkua një karikator i plotë pistolete. Plumbat e kapën në këmbë, dorë, pjesën e legenit e në brinjë, ndonëse pa e prekur në organet jetësore. Pasi zbriti nga motoçikleta, autori i cili duket se veproi i vetëm, qëlloi drejt Pllanajt në një distancë prej rreth tre metrash. Më pas u largua për nga rruga e Koplikut ku segmentet e shumta dytësore e bëjnë të vështirë përcaktimin e drejtimit përfundimtar duke e favorizuar për t’i ikur uniformave blu.

Për të analizuar dinamikën e ngjarjes kriminale, forcat e policisë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të karburantit ku ndodhi plagosja e po ashtu janë duke marrë edhe kamerat e sigurisë të aksit Shkodër-Koplik. Ndërkohë, mësohet se mbetet e vështirë për ta gjurmuar, edhe për shkak të errësirës e faktit se në të gjithë këtë rrugë nuk ka shumë kamera sigurie.