Në procesin e Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, sot dëshmoi Erion Alibej, bashkëpunëtori i drejtësisë, i cili ka zbardhur një sërë krimesh për dosjen “Plumbi i Artë”. Dervishaj e Meçaj akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja. Një javë më parë vetë Ndoja dha deklarimet e tij për gjykatën e posaçme, ku distancoi veten nga konflikte të mundshme që mund të kenë shërbyer si shkak për organizimin e atentatit të 2019-ës te Ura e Shkozetit.
Sipas Arjan Ndojës goditja ka qenë për shkak të detyrës së magjistratit.
Pjesë nga deklarata e Erion Alibejt në seancë:
Në 2019 kam banuar në Elbasan. Plarent Devishajn e njoh, Julian Meçajn, jo. Plarentin e njoh pasi më ka mundësuar daja i bashkëshortes sime një takim me anë të një shokut të tij. Di që ka një fabrikë cigaresh në Librazhd. Më ka mundësuar ai një takim me Plarentin. Kemi drekuar atje.
Nuk e dija kush ishte ai në atë periudhë, po më duket një “Çekiçi” që kisha parë në televizor. Ky ka qenë takimi i parë dhe i vetëm. Unë në atë kohë, në 2019 kam qenë person në kërkim për një çështje të 2018. Strehohesha në shtëpinë time. Kam pasur disa probleme në shtëpinë time. Në atë periudhë, Arben Laze ka patur një Tuareg ngjyrë të zezë, jam ulur në sediljen mbrapa, kam shkuar te fabrika e cigareve. Më priti Iliri dhe Arbeni, s’mbaj mend nëse ka qenë Plarenti aty apo nëse erdhi më mbrapa. Plarenti kishte një BMW ngjyrë blu të blinduar, shofer ka qenë i djalë tjetër, Plarenti pasagjer.
Në 2019 kam qenë në kërkim për një çështje të 2018. Strehohesha në shtëpinë time në Elbasan. Në atë periudhë, Arben Laze më ka marrë me një Tuareg, kam shkuar te fabrika e cigareve, por nuk e kujtoj a e gjeta aty, apo erdhi aty.
Plarenti ka pasur një makinë Benz, ngjyrë blu. Mond Çekiçin e kam dëgjuar vetëm në media. Ndoshta mund të ishte ai që shoqërohej me Plarentin, por nuk jam i sigurt. Kam diskutuar për hallet që më kishin rënë atë kohë, doja të identifikoja njerëzit që më kishin bërë krimet në familje. Shkova ta takoj mos më ndihmonte. Por, më pas kemi folur shumë gjatë në aplikacion, por fizikisht një herë. E thirrnin Lenti, shoku. Kam folur në EnchroChat fillimisht, më pas me SKY.
Nofka e tij, Barcelona tek EnchroChat, Ghost. Me Plarentin nuk më lidh asnjë gjë. Mbaj mend që pak më vonë Plarentit iu bë atentat, biseduam për këtë. Unë shqetësohesha për të, si për hallet e mia dhe ia përcillja çdo informacion.
Mbaj mend që më erdhi një mesazh që atentatin e kishte bërë Lul Berisha. Ia përcolla këto informacione. Nuk e kujtoj dot kush ma solli. I kam nisur dhe një foto nga sistemi TIMS, një “Kabashi”, e kishte shtëpinë afër Nuredin Dumanit.