KAS e la pa mandat deputeti, Lapaj: PSD-së iu pranuan dorëheqjet, me ne zbatohet ligj tjetër se jemi Gulag!

Kreu i subjektit politik Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, u rrëzua sot nga KAS për ankimimin ku kërkonte që mandati i fituar më 11 maj nga koalicioni që drejton, t’i kalonte atij.

Pas vendimit ai ka reaguar me një postim në rrjetin social Facebook, ku vë në dukje dy standardet e KAS, duke e krahasuar me rastin e Tom Doshit. Lapaj shprehet se PSD-së iu pranuan dorëheqjet dhe mandati kaloi te lista e hapur, kurse NSHB-së nuk iu pranua, pasi “zbatohet një tjetër ligj, se ne jemi Gulag”.

Ai shton se është krenar që garoi në listën e hapur dhe se një ditë vendi do ketë garë për atë që kërkojnë.

Por sipas vendimit të KAS dhe KQZ, PSD-së i është pranuar dorëheqja për mandatin dhe jo për kandidatët, kurse partisë së Lapajt nuk i janë pranuar dorëheqjet për kandidatët.

“Pra, PSD-së i pranohen dorëheqjet dhe mandati kalon te lista e hapur. Neve jo që jo! Për ne zbatohet tjetër ligj se ne jemi Gulag. Jam aq shumë krenar që luftoj për garën e hapur! Do vijë dita e asaj që po kërkojmë. Një ditë ky vend do ketë garë”, shkruan Lapaj.

Ndërkohë Komisioni i Ankesave dhe Sanksione rrëzon ankimimin e kandidates së PD-së Andia Ulliri dhe lë në fuqi mandatin e deputetit për qarkun Durrës në listën e hapur tek ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja.

Vendimi u mor orët e pasdites, pasi Komisioni e shqyrtoi në pikën e parë të rendit të ditës, ankimimin e kandidates së për zgjedhjet e 11 majit për qarkun Durrës, deputetes aktuale Andia Ulliri, e cila nuk u rizgjodh dot nga lista e hapur për legjislaturën e ardhshme.

Ligjvënëses i mbetet tashmë rruga e apelimit në Kolegjin Zgjedhor, ku pritet të vijojë betejën ligjore të saj.

Kandidatja kërkoi që të zbatohet Kodi Zgjedhor për kuotën gjinore, dhe t’i jepet asaj mandati i deputetes që e ka fituar ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja.

Ulliri u përfaqësua në këtë mbledhje nga mbrojtësi i saj ligjor Indrit Sefa, i cili deklaroi se duhet të respektohet Kodi Elektoral për kuotat gjinore, pasi vihet re se në listat e mbyllura, jo vetëm në Durrës por edhe qarqe të tjera, nuk është respektuar.

Ai tha se në raste si lezha ka vetëm burra në listat e mbyllura dhe se mandati në Durrës i takon kandidates Ulliri, pasi nga 5 fituesit e listës së mbyllur aty gjendet vetëm një grua dhe sipas kuotës 30%, emri i radhës, pra i gjashti, i takon pikërisht Ullirit.

Përfaqësuesit e KQZ u shprehën kundër, duke deklaruar se është bërë shpërndarja e mandateve sipas listave përkatëse, të mbyllura dhe të hapura në listë rendore, apo fituese.

Rreth orës 14:00, KAS shpalli edhe vendimin, duke rrëzuar kandidaten.