Ish-prokurori Arjan Ndoja, deputet i zgjedhur i PD-së, sot në Gjykatën e Posaçme u përball me Plarent Dervishajn, i akuzuar për atentatin ndaj tij, më 1 nëntor 2019. Dervishaj e pyeti Ndojën nëse ka informacione se ka qenë ai që dha porosinë për ta vrarë.
Plarent Dervishi: I vetmi konflikt që ti ke pasur thua që ka qenë ai me kryeminstrin, si dhe me ish-zv.kryeministrin, Erion Braçe. Sipas teje, nuk ka arsye, nuk njihemi, nuk kemi konflikte. A ke informacione ti, që unë kam dhënë porosinë për të të vrarë? Mos e kam marrë porosinë nga Erion Braçe?
Arjan Ndoja: Kam dëgjuar shumë për ty, edhe nga shtypi. Por, këto të dëgjuarat i marr me rezerva. Unë po të shoh në sy.
Plarent Dervishaj: Në sy të shoh dhe unë.
Arjan Ndoja: E shoh, je trim ti.
Plarent Dervishaj: Ti kujton se po të kesh gisht ti tek atentati im, unë do të ta fal?
Arjan Ndoja: Cilin atentat?
Plarent Dervishaj: Atentatin tim, ka ndodhur nja 4 muaj para teje.
Arjan Ndoja: Unë kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin.
Më herët, Ndoja deklaroi se para se të ndodhte atentati ndaj tij, kishte shqetësime vetëm nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministrit të kohës Erion Braçe.