Pas më shumë se një dekade nga fitorja e Conchitës, Austria triumfon sërish në Eurovision. JJ, tenori 24-vjeçar austriako-filipinas, fitoi edicionin e 69-të të festivalit me këngën “Wasted Love” – një përzierje mes operës, popit dhe teknos – duke marrë 436 pikë dhe lënë pas Izraelin e Estoninë.
Performanca e tij teknike dhe emocionale në skenën e Bazelit u vlerësua si një nga më të mirat e mbrëmjes.
Si pjesëtar i komunitetit LGBTQI+, ai përcolli edhe një mesazh për dashurinë dhe pranimin.
JJ, me emër të vërtetë Johannes Pietsch, është rritur në Dubai dhe është bërë i njohur në “The Voice UK” dhe “Starmania”.
Ai performon në Operën Shtetërore të Vjenës dhe studion muzikë klasike në MUK. Austria e zgjodhi atë përmes një përzgjedhjeje të brendshme, dhe suksesi nuk mungoi.