Aktualitet

Austria në alarm të kuq për valën e të nxehtit, temperaturat drejt 40°C dhe rrezik i lartë zjarresh

Austria ka shpallur nivelin më të lartë të alarmit për të nxehtin në pjesë të mëdha të vendit, pasi temperaturat gjatë fundjavës pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu rrezik të shtuar për zjarre, sidomos në rajonet lindore.

Shërbimi meteorologjik GeoSphere Austria ka lëshuar alarm të kuq për periudhën nga e shtuna deri të hënën në verilindje të vendit, përfshirë Vjenën, Austrinë e Poshtme dhe Burgenlandin, duke bërë me dije se vala e të nxehtit po shkon drejt kulmit.

John Bolton pranon fajësinë për dokumente të klasifikuara, përballet me gjobë 2.25 milionë dollarë dhe deri në 5 vite burg
Sipas parashikimeve, ekziston mundësia që rekordi kombëtar prej 40.5°C i regjistruar në vitin 2013 të thyhet gjatë së dielës. Paralajmërime të ngjashme janë dhënë edhe për pjesë të Austrisë së Epërme, ndërsa qytete si Graz, Klagenfurt dhe Villach pritet të preken nga temperatura ekstreme.

Ekspertët theksojnë se situata rëndohet edhe nga mungesa e freskimit gjatë natës, ku temperaturat minimale pritet të mos zbresin poshtë 24–27°C në zonat urbane.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë lëngje dhe të evitojnë alkoolin, ndërsa paralajmërohet edhe rrezik i shtuar për zjarre në Austrinë e Poshtme lindore.