Bota Music

Eurovision Song Contest, përplasje mes policisë e manifestuesve pro-palestinezë!

Disa përleshje shpërthyen midis protestuesve pro-palestinezë dhe policisë në rrugët e Bazelit, Zvicër, pak para performancës së artistes izraelite Yuval Rapahel në finalen e Eurovision Song Contest. Disa qindra protestues u mblodhën në qendër të qytetit për të denoncuar pjesëmarrjen e Izraelit.

Vazhduan tensionet në Eurovision për pjesëmarrjen e Izraelit.

Kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, heshtja nuk është një opsion. Paqe dhe drejtësi për Palestinën.

Ky ishte mesazhi që televizioni spanjoll RTVE publikoi në faqen e tij, në spanjisht dhe anglisht, pak para fillimit të finales së Eurovizionit.

Gjashtëmbëdhjetë sekonda video, pa zë dhe vetëm shkrim i bardhë në një sfond të zi.

Mesazhi erdhi si një përgjigje ndaj Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), i cili i kishte dërguar një paralajmërim transmetuesit publik spanjoll RTVE, duke kërcënuar me “gjoba” nëse, gjatë finales, komentuesit bënin ndonjë referencë të mëtejshme për konfliktin e Gazës, siç kishte ndodhur në gjysmëfinale gjatë performancës së përfaqësueses izraelite Yuval Rapahel, e cila i mbijetoi sulmit të Hamasit, më 7 tetor 2023.

Austria u shpall fituese e Festivalit Evropian të Këngës, Eurovizion 2025, me performancën e artistit 23-vjeçar JJ me këngën “Wasted Love”.

JJ emocionoi audiencën dhe juritë evropiane me një baladë për një dashuri platonike dhe të parealizuar.

Në vend të dytë u rendit Izraeli me 357 pikë, i ndjekur ngushtë nga Estonia me 356. Shqipëria me këngën “Zjerm” nga Shkodra Elektronike u pozicionua në vendin e 8-të me 218 pikë, 173 pikë prej tyre erdhën nga publiku. Nga juria, morëm 45 pikë.

Austria ka fituar dy herë Eurovisionin në pjesëmarrjet e saj ndër vite. Në vitin 2014 e fitoi Conchita Wurst me  këngën “Rise Like a Phoenix”, si dhe më herët në kohë, në vitin 1966 me Udo Jürgens me këngën “Merci, Chérie”. Kjo është fitorja e tretë pas 11 viteve.

Kësaj here, Austria arriti një total prej 436 pikësh, duke marrë 179 pikë nga televotimi i publikut dhe duke qenë një nga këngët më të vlerësuara edhe nga juritë profesioniste të vendeve pjesëmarrëse.

Me një zë kontratenor të veçantë dhe një skenografi që përshkruante një varkë në mes të skenës, JJ triumfoi pas një performance të arrirë.