Aktualitet Politikë

Avokati i Belerit: Është në gjendje të rënduar psikologjike!

Romarjo Meminaj, avokati i Fredi Belerit tha se ai ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike dhe se duhet të lirohet nga burgu.

 Meminaj: Gjendja shëndetësore nuk është fort e mirë, ka gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, masa mund të mbahet nesër ose pasnesër. Ne kërkojmë lirim. Ambasadorja erdhi u interesua pasi Beleri është shtetas grek.

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, është zyrtarisht i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Vlorës me akuzën e ‘korrupsionit aktiv në zgjedhjet’, pra për blerje të voatve. Ai u ndalua nga policia mbrëmë në mesnatë, bashkë me 3 të tjerë, ndërkohë që ka qenë prej ditësh në hetim.

 “Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 328 e 25 te K.Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë: Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votes”, thuhet në proceverbalin e arrestimit.

Mbrëmë pas mesnate, në ambientet para komisariatit të Himarës janë mbledhur një grup simpatizantësh, ndërkohë që ka qenë i pranishëm edhe Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, partia në koalicion me Berisha-Meta që e ka propozuar kandidatin Beleri. Në një prononcim për mediat Dule e ka quajtur sulm të pastër politik arrestimin e Fredi Belerit dhe bën thirrje që të tilla tentative për pengimin e procesit elektoral të ndalen veprime të tilla. Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit orkestruar enkas nga kryeministri Rama.