Ky episod i “Top Tech” me Mateo Kadriun eksploron disa teknologji të avancuara që po transformojnë jetën tonë të përditshme. Oasis AI është një sistem që krijon dhe modifikon botën në kohë reale, duke sjellë një përvojë të papërsëritshme në lojërat e Minecraft, ndërsa Apple Smart Dock kthen iPhone-in në një qendër komanduese për shtëpinë, duke bërë çdo pajisje më të mençur. Në botën e artit, Ai-Da, një robot piktor, krijon portrete të mahnitshme, duke konkurruar me artistët e vërtetë, ndërsa Lucid Air Sapphire është një makinë elektrike që ofron shpejtësi dhe luks të jashtëzakonshëm. Teknologjitë e tjera, si NVIDIA RTX 5090 dhe Google Willow, po çojnë përpara zhvillimet në fushën e grafikës dhe llogaritjeve kuantike. Gjithashtu, aplikacione si AI Teacher Listener po bëjnë mësimin më të lehtë për studentët, ndërsa sistemi GenCast i Google DeepMind parashikon motin me saktësi të pabesueshme. Për më tepër, një app mundëson që fëmijët të flasin me Babagjyshin në telefon, duke sjellë magjinë e festave të fundvitit në një nivel të ri. Të gjitha këto teknologji tregojnë se e ardhmja është tashmë këtu, duke e bërë jetën më të lehtë dhe më emocionuese.
Minecraft
Ky nuk është më ai “Steve-i” i Minecraft që mbledh dru e ndërton shtëpinë në kodër. Oasis AI është si “Zoti i Minecraftit” – krijon botën tënde para syve, ndryshon terrenin, ndërton, shkatrron, zhduk e ringjall gjithçka në çast! Ktheje kokën majtas, shikon një mal; ktheje djathtas, është bërë det. E kur kthehesh prapë mbrapsht, mali që ishte aty është zhdukur dhe është kthyer në kështjellën e Krujës. Ky është momenti kur edhe kompjuteri të thotë: “Më fal, po unë çfarë roli kam këtu?”
Po pra po, Oasis AI nuk është lojtar – është Arkitekti i çmendur, që e ndërton botën në sekondë dhe e zhduk po aq shpejt. Kjo teknologji i ngjan asaj kohe kur ti porosit një burger, kthen kokën një sekondë dhe… hamburgeri është bërë picë me sallam. Oasis AI thotë: “Mos u mërzit, është më mirë kështu, do e shohësh!” Dhe ti ngec mes dy mendimeve: “A të gëzohem për picën, apo të qaj për burgerin që u zhduk?”
Kjo është një lojë që nuk të fal – sa herë mendon se e kupton ku je, terreni ndryshon. Prandaj edhe nervat duhet t’i kesh “me AI të integruar”, sepse një sekondë je në kopsht me lule, në tjetrën bie në Lava. Shkurt, Oasis AI është si gjyshja që ta rregullon dhomën në kohë rekord, por pastaj s’e gjen më ku ke iPad-in.
Ky sistem është futuristik, një lojë ku universi nuk është më statik, por është si një “stand-up komedi” – ai ndryshon dhe të surprizon në çdo kthesë! Kujdes, mos t’i thuash AI-së “Kam nevojë për pushim” se ndoshta të krijon një plazh aty për aty – me Creeper-at kamarjer që të sjellin koktejlin.
Kjo është loja që nuk ndërtohet, por “shpik vetveten” ndërkohë që ti e loz. Dhe me këtë ritëm, kur Oasis AI të bëjë një botë të Shqipërisë – mos u çudit nëse kalaja e Petrelës bëhet avion dhe ngrihet në fluturim!
Apple Smart Dock
Apple sërisht na ka bërë gati një “çudi” të re: quhet Apple Smart Dock. E lë telefonin aty mbi këtë pajisje dhe, iPhone-i yt kthehet në komandantin e smart home-it tënd – kontrollon dritat, kondicionerin, kamerat dhe ndoshta, për qejf, të kujton: “Ngrihu pak, se ke gjithë ditën që rri ul!”
Imagjino këtë: Lë telefonin mbi Dock dhe ekrani bëhet si panel komandimi futuristik. Papritur të gjitha pajisjet e shtëpisë i binden Siri-t më shumë se ty: “O Siri, fik dritat në dhomë – dhe dritat u fikën! Siri, ngroh pak ambientin – dhe ambienti bëhet Sahara!” Pastaj gjyshi, duke parë televizorin që ndizet vetë, të thotë: “Po kush ka nge të luajë me këto tani?” Po prit, o gjysh, se Apple s’bën lojëra – bën revolucion.
E di çfarë është më e bukura? Për ata që nuk duan të lëvizin nga vendi (shkurt, profesionistë pushimi), kjo është pajisja e ëndrrave. Me një “Hey Siri” i ke të gjitha gati. Vetëm kujdes, se po të rrëshqasë telefoni nga Dock-u, gjithë magjia çaktivizohet. Pastaj mbetesh ti, Dock-u dhe një dritë që ndoshta s’ndizet më vetë. Në fund, e vërteta është kjo: Apple Smart Dock po sjell shtëpitë tona në të ardhmen. Dhe nëse dikush të pyet çfarë bën ky Dock, përgjigju thjesht: “Ai punon, unë komandoj!”
AI robot painting
Robotët tani po na marrin edhe artin! Një robot me emrin Ai-Da po bën piktura që të lënë pa fjalë. Imagjino: një dorë mekanike, një sy me kamera që sheh çdo detaj, dhe një tru artificial artisit që krijon portrete aq të bukura sa edhe ndonjë piktor i vërtetë mund të thotë “hm, prit pak…”.
Po mendoje pak këtë skenë: shkon në një galeri, sheh një pikturë super të detajuar, dhe kur pyet dikë: “Më thërrisni piktorin”, vjen një robot!”. Po pra, Ai-Da – një makineri që nuk ka shpirt, por pikturat e saj janë aq të bukura sa të bën të dyshosh për shpirtin: “Ore, kjo mos ka më shumë talent se një artist 65 vjeçar!”
E bukura është që Ai-Da nuk kopjon. Ajo krijon – sheh, analizon dhe e hedh idenë në telajo në mënyrën e vetë. Tani, artistët e vërtetë ndoshta po kruajnë kokën me stres. Ndërsa ne të tjerët mund të përfitojmë dhe t’i themi: “Më bëj një portret, por pak shpejt se s’kam kohë të pozoj shumë!”
E frikshme? Po. Cool? Edhe më shumë! Një gjë është e sigurt: Ai-Da na ka lënë pa fjalë. Vetëm kujdes, se me këtë ritëm mos të vijë dita kur të kërkojë edhe pagesë: “Unë pikturoj, ti paguan, kështu funksionoj unë!”
Lucid Air Sapphire
Lucid Air Sapphire duket sikur ka ardhur nga e ardhmja vetëm për të na thënë: “Hap sytë mirë, se Tesla nuk është më e vetmja makinë amerikane elektrike në pistë!” Kjo nuk është thjesht një makinë elektrike, është raketë me 4 rrota që të çon nga 0-100 km/h më shpejt se sa ti thua “UEE shi ça makine, o plak!”. Dhe pse unë zgjodha të flas për këtë temë? Sepse duket tamam si ai çuni i qetë i lagjes, që nuk flet shumë, po kur i vjen koha për gara, u tregon të gjithëve vendin.
Përshkrimi i makinës është thjesht ky: luksi takohet me shpejtësinë dhe të lë me sy hapur. Brenda, ajo duket sikur të ka marrë në një hotel me 5 yje dhe të ka ulur në timon: sendile prej lëkure premium, ekrane që të rrethojnë nga të gjitha anët, dhe qetësi absolute. Po çfarë motori, çfarë zhurme ka? Dihet, nuk ka asgjë, vetëm ti dhe heshtja që të bën të mendosh për borxhet e tua, ndërkohë që fluturon mbi asfalt.
“Po mirë, sa e shpejtë është? Më shpejt se sa mund të thuash: ‘Uau, çfarë ishte kjo?’” 100 km/h në më pak se 2 sekonda dhe me shpejtësi maksimale prej 330 km/h! Pra, ke frikë mos humbet një garë? Jo, frikë ke vetëm mos të fluturojnë nervat, bashkë me pasagjerët që të ulërasin: “MAJEEEE, se nuk është avion!”
Këtu vjen edhe pjesa më e bukur. Nëse Tesla deri tani ishte “boss-i” i makinave elektrike, Lucid po ia thotë troç Teslës: ‘Rri ti merru me autopilotin, unë po garoj me SpaceX!’ E sa kushton kjo bukuri? Po sa një apartament në qendër të Tiranës – me garazh të përfshirë, sigurisht!
Lucid Air Sapphire është makina që po na tregon se e ardhmja ka mbërritur dhe nuk ka kohë më për lojëra. Ndaj kujdes kur të shkosh për ta provuar – se kur të zbresësh me siguri do t’i thuash shitësit: “Ma shite këtë makinën, po ajo ma mori frymën!”
Teacher AI listener
E po ky brezi i sotëm qenka me fat! Dikur ne, kur humbnim mendjen në mësim, përfundonim duke pyetur shokun: “E, ça tha zysha?”, dhe ai të kthente përgjigje me dy fjalë: “S’e di, as unë s’po dëgjoja.” Tani AI Teacher Listeners e ka marrë përsipër të jetë “nxënësi i parë i klasës” që nuk humb asnjë fjalë të mësuesit.
Imagjino këtë: Ti je i hutuar, sheh nga dritarja, mendon çfarë do hash për drekë, ose si do të dalësh me nota nga ky vit, ndërkohë që aplikacioni yt me AI është aty, i qetë, duke dëgjuar dhe analizuar çdo gjë që thotë mësuesja. Dhe në fund, kur mësimi mbaron, ti hap telefonin dhe bam: “Ja çfarë tha zysha, me përmbledhje dhe pika kryesore.” Në këtë pikë, ti thua: “Rrofsh, teknologji, ku do isha pa ty unë tani.”
Po si duket kjo punë për mësuesit? Një makth më vete! Se tani ata nuk mund të thonë më: “Kush nuk dëgjoi, është faji jot!” Jo, tani të gjithë nxënësit kanë një “mik” që dëgjon për ta. Dhe gjëja më e bukur? Në fund, kur ti bëhesh gati për provim, AI Teacher Listener të thotë: “Merri këto dhe rri i qetë, e ke këtu të gjithë përmbledhjen e mësimit!”
Pra, nxënësit sot nuk humbasin më asgjë, përveç ndoshta vëmendjes. E thënë shqip: Edhe po të kapi gjumi në mes të lëndës, AI nuk fle! Tani, ajo goca e 10-tave të klasës që të ndihmonte me shënimet është “zëvendësuar” nga një aplikacion që nuk harron, nuk lodhet dhe nuk mungon kurrë.
Shkurt fare: Teknologjia po na e bën jetën më të lehtë. Vetëm mos e tepro, se mos nesër AI-ja të ngrihet dhe të thotë: “Më fal, po tani ajo diploma është e imja, ti nuk ke bërë asgjë!”
NVIDIA RTX 5090
NVIDIA RTX 5090 ka trokitur në derë dhe nuk po pyet fare për askend– ka ardhur për të thyer çdo rekord! Stocks-at e NVIDIA-s janë ngjitur si raketë, gamer-at që spo durojnë dot më, dhe CEO Jensen Huang ecën sikur të thotë: “Po bëjmë histori, kush na ndalon?” Nuk është më çështje fps-esh normale; tani po flasim për “fps që s’i kap syri, po i ndjen zemra e gamer-it”.
Po pse gjithë kjo zhurmë? RTX 5090 pritet të jetë një kartë grafike që e sheh një lojë të rëndë dhe thotë: “Ktë? Ktë e kam si çëmçakiz!” Ray tracing? 4K? E çfarë janë këto? Po flasim për 8K dhe 240 fps, saqë edhe karta grafike mund ti thotë vetes: “Avash se na trrembe!”
Për ata që mbahen gamer-a me zemër, por jo me xhep, ky është momenti kur duhet të mendoni: “Do ha bukë këtë muaj, apo do blej RTX 5090?” Se kjo kartë nuk vjen e lirë. NVIDIA nuk ka bërë shaka. Në këtë pikë, mund të thuash se RTX 5090 është si një Ferrari për kompjuterin tënd: i shpejtë, i fuqishëm dhe i shtrenjtë sa gjysma e shtëpisë.
Nga ana tjetër, CEO i NVIDIA-s, Jensen Huang, ka shpallur qartë: “Ne jemi këtu për të bërë kartat më të mira, të tjerët… le të provojnë të krahasohen!” Dhe në këtë pikë, stocks-at e NVIDIAS kanë bërë “boom”, gamer-at janë ulur në qoshe duke bërë llogari, dhe konkurrentët… po mbledhin mendjen dhe paratë.
Nëse do një kartë që e çon kompjuterin në limit, por të bën të ndihesh si mbret i fps-ve, merr një copë letër dhe shkruaje diku këtë emër: RTX 5090.
Google Willow
Google ka prezantuar Willow, çipin e tyre më të ri që po futet në garën e quantum computing, dhe për ta thënë troç: kjo s’është më një lojë, është revolucion. Mos u gënje nga emri “Willow” që të kujton një pannetone të vitit të ri. Ky çip është si ai telefoni i fundit që sapo del në treg dhe u thotë të gjithëve: “Mbajeni mirë frymën, se unë jam tjetër nivel!”
Po çfarë bën ky çip? Bën llogaritje aq të shpejta dhe të ndërlikuara sa neve na ngelet vetëm të shohim ekranin dhe të pyesim: ‘E, po si arriti deri këtu?’ Quantum computing është e ardhmja, dhe Google duket sikur po ecën më shpejt se kushdo. Thjesht imagjino çfarë mund të bëjë ky çip: të zgjidhë probleme shkencore, të optimizojë çdo teknologji dhe të bëjë procesorët tanë të sotëm të duken si “kafshata” të vogla nga e kaluara.
E bukura është që Google po e bën këtë në heshtje, pa shumë zhurmë. Siç thonë: “Punon fort, flet pak dhe pastaj sheh rezultatet!” E nëse ky çip funksionon siç thonë, atëherë Google Willow është i pari në garën për të ardhmen – ndërsa ne mbetemi duke bërë muhabet: “Ore, po na e kaloi dhe çipi për inteligjencë!”
Një gjë është e sigurt: Willow nuk është thjesht çip. Është paralajmërimi i qartë që Google po i vendos gjërat në një nivel krejt tjetër.
Fei-Fei Li dhe World Labs
Zonja Fei-Fei Li, që quhet edhe “nëna e inteligjencës artificiale”, po çon teknologjinë një hap më përpara me kompaninë World Labs. Dhe s’është thjesht një laborator, është si një “fabrikë idesh” ku krijohen ato gjërat që nesër do na lënë pa fjalë. Imagjino një vend ku shkenca, teknologjia dhe AI-ja pijnë kafe bashkë. Ja, ky është World Labs – aty ku Fei-Fei Li dhe skuadra e saj rrinë me laps në dorë dhe thonë: “Si ta bëjmë botën më të zgjuar, pa na i marrë mendtë?”
Nëse mendon se kjo është punë e lehtë, harroje! Fei-Fei Li është ajo që ka futur AI-n në çdo cep të jetës sonë, nga fotot e telefonit deri te makinat që ngasin vetë. Dhe tani ajo ka krijuar një qendër që duket si “kamp trajnimi për trurin” ku çdo ide për AI-n, qoftë e çuditshme apo revolucionare, merr formë.
Po për ne të thjeshtët që s’kuptojmë çdo gjë shkencore? Mjafton të themi se ajo po i jep AI-së një qëllim më të madh – për të ndihmuar njerëzimin. Sepse, për hir të Zotit, duhet dikush që të thotë: “Le ta përdorim AI-n për të mirë, jo vetëm për të llogaritur sa pizza mund të hash për një orë!”
World Labs është aty ku e ardhmja po ndërtohet. Dhe me këtë ritëm, mos u çudit nëse një ditë Fei-Fei Li të thotë: “Ke nevojë për ndihmë? Pyesim AI-n, se përgjigjen e ka gati përpara se të mbarosh pyetjen!”
GenCast i Google DeepMind
Dëgjo, teknologjia po ecën aq shpejt sa tani edhe moti është futur nën çadrën e AI-së. Google DeepMind ka nxjerrë GenCast, një sistem që parashikon motin me saktësi dhe duket sikur i thotë cikloneve dhe shirave: “Ikni nga të doni, se të parashikoj përpara se të nisësh rrugën!”
Nëse deri tani ke parë parashikime të tipit: “Do bjerë shi…bla bla bla ose jo!”, harroje këtë punë. GenCast është si ai shoku që gjithmonë e di çfarë do ndodhë para të gjithëve. Edhe të tregon me detaje: “E hëna në mëngjes ka shi, në drekë pak diell, e në darkë… bëni çadrat gati se nuk ka më shaka!”
Po si e bën këtë? AI-ja e Google përdor një teknologji të tillë që më shumë ngjan me magji. Analizon të dhënat, ndjek rrugën e reve, i bën llogaritë më shpejt se ti bëhesh gati për të dalë nga shtëpia dhe të jep një parashikim që nuk lë vend për gabime. Dhe për ata që jetojnë me “Ec, o burrë, se vetëm Zoti e di ç’bëhet me këtë mot!”, tani mund të thoni: “Zoti, po edhe Google DeepMind!”
Ky sistem është gjigand, sidomos për të parashikuar ekstreme si stuhi, përmbytje dhe “gjëra që të prishin planet”. Dhe më e bukura? GenCast nuk të jep vetëm lajmin e keq, por të ndihmon të përgatitesh. E pra, kjo është AI që na duhet: një parashikues i motit që nuk thotë “ndoshta”, por thotë “ja ku e ke me fakte, 100% e sigurt!”
Me këtë ritëm, nuk është çudi që një ditë GenCast të të thotë: “Mos dil nesër pa xhup, se do bëhet nami po të them!” Dhe nëse nuk i beson, kujdes – AI nuk gabon, po ti rrezikon të marrësh një të ftohur!
Babagjyshi në app?
Erdhi ajo koha kur çdo fëmijë nis të shohë nga dritarja e të pyesë: “Kur po vjen ky Babagjyshi?”. Tani Babagjyshi vjen me një app, dhe del nga xhepi jo nga oxhaku. Teknologjia e ka bërë edhe këtë punë: tani fëmijët mund të flasin direkt me Babagjyshin në telefon, të marrin mesazhe, madje edhe video personalizuara! Po pra, ai plakush me mjekër tani është futur në botën digjitale.
Ky app është perfekt për prindërit që duan ti bëjnë qejfin të vegjëlve. Imagjino: “Babagjyshi më dërgoi një mesazh!” dhe ata gëzohen. Kjo është e bukura e teknologjisë – nuk na kursen as ato momentet e vogla që na mbushin zemrën. Dhe nëse ndonjë fëmijë nis të dyshojë si tip detektivi: “Po si është ky Babagjyshi në telefon?”, thuaji thjesht: “Është koha moderne, edhe ai ka një smartphone!”
App-i bën që fundviti të ndihet pak më shumë magjik. Dhe për ne shqiptarët, që gjithmonë mundohemi ta mbajmë këtë “festë” sa më të gjallë, është zgjidhje ideale. Nuk ke më nevojë të futesh në radhë për kostumin apo të improvizosh me një jorgan të bardhë për mjekër – tani Babagjyshi është në telefon dhe po i bën fëmijët të lumtur me gjithë zemër.
E pra, shijo këtë fundvit, ngrohu me gëzimin e tyre dhe kujto: Nuk ka rëndësi ku është Babagjyshi, në polin e veriut apo në një app – magjia është aty, tek buzëqeshja e të vegjëlve.