Politikë

Balla nga PE: Respektojmë standardet e BE për mjedisin! Bardhi: Kuvendi pengesë për integrimin!

Krerët e Grupeve Parlamentare të PS dhe PD, Taulant Balla dhe Gazment Bardhi, kanë marrë pjesë në një takim të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, në Parlamentin Europian.

Balla, i cili është edhe bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Europian–Shqipëri, gjatë fjalës së tij ka theksuar se BE është standardi me të cilin qeveria shqiptare mat transformimin dhe zhvillimin çdo ditë, përmes çdo reforme.

Balla theksoi se Shqipëria po pret përmbylljen e tre kapitujve të negociatave dhe vijimin e punimeve në Konferencën e radhës Ndërqeveritare, duke e cilësuar këtë një zhvillim përtej një procedure teknike.

“Europa nuk është thjesht një destinacion për Shqipërinë. Europa për ne është standardi me të cilin masim transformimin e vendit tonë, ditë pas dite, reformë pas reforme, institucion pas institucioni”, u shpreh Balla.

Ai falënderoi institucionet e Bashkimit Europian, shtetet anëtare dhe partnerët europianë për mbështetjen ndaj Shqipërisë, duke përmendur edhe rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për vendin.

“Ky ishte një mesazh i qartë politik se progresi i Shqipërisë njihet, se rruga jonë e reformave është e besueshme dhe se perspektiva jonë europiane është reale”, deklaroi Balla.

Duke folur për ‘Zvërnecin’, Balla tha se Qeveria shqiptare respekton plotësisht standardet për mjedisin, teksa shtoi se qëllimi kryesor i Ekzekutivit është përmirësimi i jetesës për çdo qytetar shqiptar.

“Respektojmë detyrimet tona ndaj BE-së. Evropa është standardi me të cilin masim transformimin dhe zhvillimin, çdo ditë, me çdo reformë. Respektojmë standardet në çdo fushë, përfshirë edhe mjedisin, por duam të jetë e qartë se qëllimi kryesor është përmirësimi i jetës së çdo qytetari shqiptar. Ata na zgjedhin dhe atyre u shërbejmë”, tha mes të tjerash Balla.

Balla theksoi gjithashtu rëndësinë e luftës kundër dezinformimit, duke kërkuar që debatet të bazohen në fakte dhe informacion të verifikuar.

“Dezinformimi e zëvendëson debatin me manipulimin, faktet me gënjeshtrat dhe besimin me dyshimin. Lufta kundër dezinformimit është mbrojtje e së vërtetës, e lirisë dhe e vetë demokracisë”, tha ai.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është shprehur se Kuvendi i Shqipërisë është zhveshur nga funksioni i tij dhe u shërben vetëm ligjeve korruptive.

“Parlamenti po largohet çdo ditë e më shumë nga funksioni i tij kushtetues si institucion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, për t’u reduktuar në një noter të vendimeve të qeverisë”, tha mes të tjerash Bardhi.

Më tej Bardhi tha se Qeveria është vendosur në mbrojtje të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, ku përmendi çështjen Balluku. Sipas Bardhit, kjo nuk e ndihmon integrimin në BE, por e vështirëson atë.

“Në vend që të luaj rol në përshpejtimin e procesit të integrimit, Parlamenti përmes veprimeve të tij po bëhet pengesë. Më lejoni tju sjell në vëmendje vendimin e Parlamentit për të mos i hequr imunitetin Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të akuzuar nga SPAK për paracaktim të tenderave, korrupsion dhe pastrim parash. Mbrojtja politike e korrupsionit të zyratrëve të lartë, nuk e ndihmon integrimin, por e vështirëson atë”, shtoi Bardhi.