Aktualitet

Balluku, Kushtetuesja sot shqyrton ankimin e qeverisë mbi vendimin e GJKKO-së për pezullimin!

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot në seancë plenare publike ankimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, lidhur me vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), që kanë vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës për Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Subjekte të interesuara në këtë çështje janë Presidenti i Republikës, Kuvendi, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vetë GJKKO e Shkallës së Parë.

Objekti i ankimit është zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe GJKKO-së nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Qeveria kërkon shfuqizimin e vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së, duke argumentuar se ato cenojnë garancinë e imunitetit të ministrit, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat që Kushtetuta i njeh organeve që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.

Gjithashtu, ankimi kërkon pezullimin e efekteve të këtyre vendimeve deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103 të Kushtetutës, në kuptimin që “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh Kushtetuta dhe legjislacioni procedural penal”.