Bota

Balotazhi presidencial në Poloni, garë e ngushtë mes Trzaskowski-t dhe Nawrocki-t!

Në Poloni janë hapur qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, me dy kandidatët që ofrojnë vizione rrënjësisht të ndryshme. Gara vë përballë kryebashkiakun pro-europian të Varshavës, Rafał Trzaskowski, i mbështetur nga koalicioni qeverisës i Donald Tusk-ut kundër historianit dhe ish-boksierit amator, Karol Nawrocki, i përkrahur nga partia e djathtë populiste Ligj dhe Drejtësi (PiS) që qeverisi vendin në vitet 2015-2023.

Ndërsa roli i presidentit polak është kryesisht ceremonial, ka njëfarë ndikimi mbi politikën e jashtme e të mbrojtjes, si dhe një fuqi kritike për të vënë veton ndaj legjislacionit të ri. Kjo mund të përmbyset vetëm me një shumicë prej tre të pestash në parlament, që qeveria nuk e ka.

Në rrezik është nëse qeveria Tusk do të jetë në gjendje të bëjë përparim në premtimet elektorale mbi sundimin e ligjit dhe çështjet sociale, përfshirë abortin e të drejtat LGBTQ+, pas 18 muajsh bashkëjetese të vështirë me presidentin e opozitës, Andrzej Duda.

Një fitore e Nawrockit do ta zgjaste ngërçin aktual, duke e bërë të vështirë për qeverinë të miratojë ndonjë reformë të madhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.

Tusk e di situatën dhe se nëse Nawrocki fiton, ai do të ketë administratë të dobët për dy vitet e ardhshme. Do të jetë më keq se me Dudën, pasi Nawrocki do të vijë i ri, me një mandat të ri nga çka në fakt u shndërrua në referendum mbi qeverinë, u shpreh profesor Aleks Szczerbiak, i cili jep mësim për Politikën e Europës Lindore dhe Qendrore në Universitetin e Sussex-it.

Në ditët e fundit të fushatës, të dy kandidatët u përpoqën të tërhiqnin votuesit e kandidatëve të eliminuar në raundin e parë e të mobilizonin mbështetësit e tyre. Analistët theksuan se më pak se 200 mijë vota mund të vendosin rezultatin e garës.

Sondazhet treguan se ndryshimi midis dy kandidatëve ishte brenda kufirit të gabimit, duke i bërë këto zgjedhjet më të ngushta në historinë e Polonisë pas vitit 1989.

Rezultati është i pamundur të parashikohet. Ka shumë faktorë lëvizës dhe ndryshimi më i vogël gjatë ditës mund ta ndryshojë ekuilibrin, u shpreh Ben Stanley, profesor i asociuar në Universitetin SWPS në Varshavë.

Trzaskowski, kryebashkiak i Varshavës, i arsimuar në Oksford, u përpoq ta projektonte veten si një palë duar të sigurta për të punuar me qeverinë në zbatimin e reformave progresive. Por, fushata e tij u përball me vështirësi për shkak të lidhjeve të ngushta me qeverinë jopopullore të Tusk-ut. Gjithashtu, ai u detyrua të mbrohej nga sugjerimet se është i shkëputur nga realiteti, si dhe nga akuzat për financim të huaj për reklamat online që promovojnë kandidaturën e tij.

Nga ana tjetër, Nawrocki është i ri në politikë. Që nga viti 2021, ka drejtuar Institutin e Kujtesës Kombëtare, institut shtetëror kërkimor me kompetenca të ndjekjes penale publike që heton krimet historike kundër Polonisë.