Pak para nisjes së seancës plenare këtë të enjte, katër grupime qytetarësh nga Tirana janë mbledhur për të protestuar dhe me shpresën se deputetët që do të paraqiten në Parlament, t’i dëgjojnë kërkesat e tyre.
Në protestë janë banorët e zonës së 5 Majit, të zonës së Laprakës dhe njëherazi banorët e Kodrës së Priftit dhe të Paskuqanit.
Sot ata janë bashkuar në një protestë para Parlamentit dhe kërkojnë transparencë për projektin që po zbatohet, i cili prek interesat e tyre.
Qytetarët po kërkojnë shpjegime për shtëpitë që po u prishen nga projektet infrastrukturore dhe duan të dinë ku do të jetojnë.
Sipas banorëve në asnjë prej katër territoreve ku po ndodhin prishjet e banesave, nuk është rënë në ujdi me ta e nuk janë kryer bisedime.
Banorët kërkojnë marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës përmes noteriozimit e tapisë në dorë.
Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre, do të hyjnë edhe në grevë urie para Kryeministrisë.
Protestat e banorëve kanë nisur prej disa muajsh, por më 19 janar të këtij viti, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit.
Shembja e banesave u shoqërua me kundërshtinë e banorëve, të cilët u përplasën me efektivët e Policisë.