Aktualitet

Preken nga projekti i rindërtimit, banorët e 5 majit në protestë para Kryeministrisë

Banorët e lagjes 5 maji po protestojnë edhe sot para Kryeministrisë. Bashkë me ta janë mbledhur edhe banorët e Laprakës dhe Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit, banesat e të cilëve pritet të prishen për shkak të projekteve të reja që kalojnë mbi ato prona.

Protestat vijojnë prej 19 janarit ku Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit prishi disa prej banesave në zonën e 5 majit për të ndërtuar lagjen e re për të prekurit nga tërmeti.

Në total nga ky projekt pritet të shemben rreth 430 shtëpi.

Javën që shkoi, banorët e 5 majit protestuan para Parlamentit dhe ambasadave të SHBA dhe BE.

Ndërsa banorët pretendojnë se në të këtë zonë do të ndërtohen edhe kulla dhjetra-katëshe me njësi biznesi dhe qendra tregtare. Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

Banorët e të dy zonave i bën bashkë e njëjta kërkesë: dëmshpërblimi! Ata thonë se nuk janë kundër projekteve, por kërkojnë shpronësimin sipas rregullave, duke marrë parasysh se një pjesë e tyre kanë certifikatë pronësie, ndërsa pjesa tjetër janë në proces legalizimi në pritje të marrjes se statusit të plotë të pronësisë.

Ndërkaq në Laprakë, për shkak të lotit të Unazës do të preken 700 shtëpi banimi, ndërsa tek “5 maji”, 430 të tilla. Mesa duket pas 2 vitesh, historia e Astirit përsëritet! Edhe pse banorët protestuan për 2 vite, sërish banesat u shembën, e sot kanë ende qindra familje të mbetura pa strehë ndërsa i vetmi dëmshpërblim që morën nga qeveria ishte bonusi i qerasë për disa vite.